Ndërlidhjet

Zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore pret vitin tjetër


Ilustrim

Qytetarët e Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar do të mbeten pa sigurime shëndetësore.

Ligji për sigurime shëndetësore nuk do të nisë së zbatuari as këtë vit. Ndonëse ishte paraparë që nga data 1 korrik e vitit 2017, fillimisht të niste mbledhja e premiumeve, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Së fundit, Qeveria ka vendosur që shumën prej 17 milionë euro, të ndarë për sigurime shëndetësore, ta orientoj në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Naser Osmani, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria ka vendosur që fondin ta transferojpër pagesat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo ka qenë shumë befasuese. Qeveria e re e ka hequr fondin e ndarë për sigurime shëndetësore. Ka qenë e habitshme, pasi ne e kemi bërë ligjin para tri viteve dhe kemi menduar që me fillimin e grumbullimit të mjeteve, ato do të mjaftojnë që të fillohet me zbatimin e ligjit në vitin 2018, në mënyrë që njerëzit të kenë sigurimin shëndetësorë”, tha Osmani.

Në anën tjetër Sejdë Tolaj, nga Agjencia e Financimit të Shëndetësisë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, tha se Ligji për sigurime shëndetësore duhet rishikohet dhe plotësohet edhe më tej.

Është duke u punuar me donatorët ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore për këtë çështje, por na duhet kohë. Fondi për sigurime shëndetësore ka nevojë për mbështetje të Qeverisë. Nuk kemi kohë të caktuar se kur do të fillojë së zbatuari. 17 milionë euro të ndara për fondin, nëse nuk do të orientoheshin diku do të mbeteshin suficit”, thotë Tolaj.

Ligji për sigurime shëndetësore ka nevojë të plotësohet dhe të ndryshohet, pasi edhe Ligji për TVSH në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) ka pësuar ndryshime, andaj edhe ky ligj duhet të harmonizohet me ligjet tjera”, ka thënë Tolaj.

Por, deputeti Naser Osmani thotë se ende shpreson se në seancën e radhës do të mund të lëvizin gjërat në të mirë të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Është zhvilluar një debat jo i lehtë në seancë dhe presim dhe shpresojmë që Qeveria ta rishikojë edhe njëherë si dhe Komisioni ta amandamentojë”, ka thënë Osmani.

Hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore qytetarët e shohim si të domosdoshëm. Ata thonë se tashmë Qeveria e Kosovës është vonuar në këtë drejtim.

Erita Maloku, 23 vjeç, nga Prishtina mendon se një ligj i tillë është shumë i nevojshëm.

Mendoj që është i domosdoshëm Ligji për sigurime shëndetësore. E di që një kohë të gjatë është në proces dhe shpresojmë që sa më shpejtë të miratohet”, tha Maloku.

Edhe Nita Sogojeva, qytetare nga Prishtina thotë se zbatimi i këtij ligji tashmë po merr vonesa shqetësuese.

Unë mendoj që Ligji për sigurime shëndetësore duhet gjithsesi të zbatohet, sepse aq sa kam njohuri unë, fondi është alokuar tek veteranët e UÇK së, por unë mendoj që është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë sigurim shëndetësorë” tha Sogojeva.

Ndryshe Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, por ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, meqë nuk ishte nënshkruar atëbotë nga shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Për mënyrën se si ishte menduar të fillohet me zbatimin e tij, vërejtjet e veta në disa raste i ka dhënë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila kishte vlerësuar se “Ligji i Sigurimeve Shëndetësore mund të fillojë të zbatohet vetëm pas përmbushjes së kritereve të parapara”.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane i kishte sugjeruar edhe Qeverisë që procesi i plotësim-ndryshimit të këtij Ligji të bëhet përmes një dialogu gjithëpërfshirës me aktorët e tjerë, që do të mundësonte implementim sa më efikas të dispozitave të tij.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG