Ndërlidhjet

Në pikëpyetje zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore nga viti 2017


Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Zbatimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore nga viti i ardhshëm mbetet ende i paqartë, për shkak të kostos dhe periudhës së mbledhjes së premiumeve, që pritet të nis nga janari.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin Financiar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Statutin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Me miratimin e këtyre dokumenteve, Kosova bëhet me Fond për Sigurime Shëndetësore.

Ky fond krijon kushtet për një financim të qëndrueshëm për shërbime cilësore dhe më efektive shëndetësore për të gjithë qytetarët.

Por, zyrtarë të lartë të kësaj fushe janë skeptikë se implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore do të fillojë së zbatuari në vitin 2017.

Udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se mbledhja e premiumeve është një vendim politik i Qeverisë. Ai gjithashtu shprehet skeptik se implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

‘’Është pikëpyetje se sa do të fillojë implementimi i këtij ligji. Sipas ligjit mbi shërbimet shëndetësore, shërbimet nga Ligji për Sigurimet Shëndetësore duhet të merren pas gjashtë muajsh. Por, çka nëse pas gjashtë muajsh nuk ofrohen shërbimet për qytetarët? Kush do të jap përgjegjësi?”, thotë Syla.

“Parametrat tregojnë se nuk ka gjasa, duke filluar nga sistemi i informatave shëndetësore, që nuk funksionon, e deri te përgatitja e menaxhmentit dhe punëtorëve shëndetësorë, që nuk janë të gatshëm për dhënien e këtyre shërbimeve”, thotë ai.

Gjithashtu, ka vijuar Syla, me buxhet nuk parashihen investime në infrastrukturë.

“Andaj, mendoj se implementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore do të dështojë”, theksoi Syla.

Edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në vitin 2017 nuk do të ketë mrekulli nga ky ligj, por që do të fillojnë hapat e parë.

“Nga 1 janari s’ka dilemë se do të fillojë mbledhja e premiumeve dhe në vitin 2017 nuk do të kemi mrekulli nga ky ligj, por do të bëhen hapat e parë dhe do të vërehen përfitimet e para të pacientëve. E para; do të kenë spitalet barna më shumë se që kanë tani, por po pretendojmë ta mbulojmë në tërësi listën esenciale. Pastaj do të kemi një pako bazike farmaceutike, e cila do të rimbursohet dhe qëllimi është 1 prilli, si dhe pako e përfitimeve është pagesa e komunave pilot në këtë fazë”, ka theksuar Rrahmani.

Ministri Rrahmani ka thënë po ashtu se janë duke punuar intensivisht, në koordinim me gjitha ministritë dhe agjensionet, që kanë interferim në synimin e implementimit me sukses të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004, kurse ishte miratuar në vitin 2007. Por, pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte tërhequr dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore.

Sidoqoftë, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e mbledhjes së premiumeve për Sigurime Shëndetësore ka ardhur pas kërkesës së bërë kohë më parë nga Këshilli Përgatitor për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili kishte kërkuar që Qeveria të miratojë fillimin e mbledhjes së premiumeve, gjë që është e përcaktuar me ligj.

Qytetarët e shohin të nevojshëm fillimin e zbatimit të këtij ligji.

Mynavere Loxha, juriste, thotë se fillimi i mbledhjes së të hollave (premiumeve) nga viti i ardhshëm është një shenjë e mirë.

“Më në fund do të fillojë të zbatohet ligji. Kjo për qytetarët do të thotë shumë, pasi ata që nuk kanë mundësi të shërohen qoftë në institucione private shëndetësore, apo edhe jashtë vendit. Ata tani do ta kenë mundësinë që këto shërbime t'i marrin”, ka thënë Loxha.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka planifikuar të ndajë 17 milionë euro për të punësuarit në sektorin publik dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Ekspertët kanë vlerësuar se për një vit do të mblidhen rreth 60 milionë euro, derisa, sipas ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, me kalimin e viteve dhe futjen në sistem të të gjithë kontribuuesve, buxheti mund të shkojë edhe deri në 100 milionë euro në vit. (REL)

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG