Të mbijetuarit e moshuar janë tubuar gjatë ditës së djeshme në ish-kampin e vdekjes në Aushvic, derisa liderët politikë janë shprehur se gjenocidi nazist duhet të vazhdoj të shërbej si vërejtje, derisa në gjithë botën është shënuar Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, 27 janari.
Përkujtimet janë mbajtur pas muzgut, pas përfundimit të ceremonisë hebreje, Sabbath, për shënimin e 73 vjetorit të çlirimit të Aushvicit, që gjendet në pjesën jugore të Polonisë.
Në kryeqytetin e këtij vendi, Varshavë, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka marrë pjesë në një ceremoni solemne të përkujtimit të hebrenjëve, të cilët u vranë gjatë revoltës kundër forcave gjermane në vitin 1943.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke e shënuar këtë ditë, tha se shkollat, ku tashmë mësohet për të kaluarën e Gjermanisë naziste, duhet të punojnë fuqishëm në këtë çështje, në mënyrë që nxënësit imigrantë nga vendet arabe të mos “kryejnë anti-semitizëm”.
Megjithatë, ka pasur edhe kundërthënie.
Izraeli i ka bërë thirrje Polonisë që ta ndryshoj legjislacionin e miratuar këtë javë në parlamentin e këtij vendi, me të cilin konsiderohet ilegal përdorimi i deklaratave që sugjerojnë se Polonia bartë çfarëdo përgjegjësie për krimet kundër njerëzimit të kryera ga Gjermania naziste në tokën e Polonisë.
Me këtë legjislacion parashihet se fjalitë sikur “kampet polake të vdekjes” do të dënoheshin me burgim deri në tri vjet.
“Ky legjislacion është i pabazë dhe unë fuqishëm e kundërshtoj atë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kampet ishin krijuar dhe shfrytëzuar pasi nazistët e okupuan Poloninë në vitin 1939.