Ndërlidhjet

Rrëzohet një aeroplan në Iran, mund të kenë vdekur të 66 pasagjerët


Fotografi ilustruese nga arkivi

Të gjithë anëtarët e bordit në një aeroplan të rrëzuar në Iran mund të jenë të vdekur.

Aeroplani me 66 anëtarë është rrëzuar në malet Zagros, derisa ishte duke fluturuar nga aeroporti Mehrabad në Teheran për në qytetin jugperëndimor Yasuj, kanë njoftuar shërbimet kombëtare të emergjencës.

Aeroplani është thënë të ketë qenë nën drejtimin e kompanisë Aseman Airlines.

Zëdhënësi i kompanisë, Aseman Airlines, Taghi Tabatabai, i kanë thënë televizionit shtetëror, se aeroplani është rrëzuar në Malin Dena, dhe se të gjithë anëtarët e bordit kanë vdekur në aksident.

Sidoqoftë ai i ka thënë më vonë agjencisë së lajmeve ISNA, se “ende nuk kemi qasje në vendin e rrëzimit të aeroplanit, andaj nuk mund të konfirmojmë në mënyrë definitive vdekjen e të gjithë pasagjerëve që kanë qenë në aeroplan”.

Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit të aeroplanit në të cilin ishin 60 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekipit.

Televizioni shtetëror, ka raportuar, se një helikoper shpëtimi nuk ka mundur të arrijë në vendin e rrëzimit të aeroplanit për shkak të motit të keq.

“Duke marrë parasysh faktin se zona është malore, nuk është e mundshme që të dërgohet ambulanca”, ka thënë zëdhënësi për shërbimet e emergjencës, Mojtaba Khaledi.

Sanksionet ndërkombëtare që kanë përcjellur këtë vend me dekada, kanë ndikuar në pengimin e ripërtrirjes së transportit ajror.

Vetëm pasi Teherani ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore më 2015, ka pasur mundësi të blejë aeroplanë të rinj.

Deri më tash në këtë vend kanë arritur dhjetëra të tillë.

XS
SM
MD
LG