Ndërlidhjet

Yanukovych kërkon bisedime direkte mes Kievit dhe separatistëve


Ish-presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych
Ish-presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych

Ish-presidenti ukrainas, Viktor Yanukovych ka bërë thirrje për “bisedime direkte për paqe”, në mes të Kievit dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit në të cilin janë vrarë më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.

Në një konferencë për media në Moskë, Yanukovych ka premtuar se do t’i kërkojë Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të ndihmuar në organizimin e bisedimeve për të riintegruar territoret e kontrolluara nga separatistët në Ukrainë.

“Është vetëm një mënyrë për të përfunduar luftën, duhet të nisim bisedimet me pjesëmarrje të detyrueshme të separatistëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë”, ka thënë Yanukovych.

Sipas tij, ligji i miratuar së fundmi për riintegrimin e territoreve që kontrollohen nga separatistët në Ukrainë, është në kundërshtim me marrëveshjet e Minskut për paqen dhe “shfaqin qartë” se Kievi, “nuk ka dëshirë që ta zgjidhë këtë problem në mënyrë paqësore”.

Yanukovych, që ka miqësi me Rusinë, ka ikur nga Ukraina në shkurt të vitit 2014, pas disa muajsh protesta masive në Ukrainë dhe që nga ajo kohë jeton në Rusi.

Vendimi i shtetit rus për të aneksuar Krimenë si dhe për të mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, ka nxitur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për vënien e një vargu sanksionet kundër zyrtarëve, kompanive dhe sektorëve ekonomikë të Rusisë.

Ish presidenti po ashtu ka thënë se në letrën që ai i ka nisur presidentit rus, Vladimir Putin në shkurt të vitit 2014, nuk i ka kërkuar kurrë Putinit që të dërgojë trupa në Ukrainë.

Duke u përgjigjur në pyetjet rreth hetimeve për vrasjet e protestave më 2014 në Kiev, ai e ka hedhur fajin tek protestuesit, duke thënë se të shtënat drejt protestuesve janë kryer nga ndërtesa që kontrollohen nga aktivistët.

Yanukovych akuzohet në mungesë, për shkelje të integritetit territorial të Ukrainës dhe krime të tjera të supozuara.

Gjykimi i tij është duke vazhduar në Kiev.

XS
SM
MD
LG