Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Marine Le Pen kërkon ndryshimin e emrit të partisë së saj


Marine Le Pen, foto nga arkivi

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen ka propozuar ndryshimin e emrit të partisë së saj nga Fronti Kombëtar në Marshi Kombëtar, në tentimet për të përmirësuar imazhin e partisë, transmeton BBC.

Ajo u ka thënë anëtarëve se emri aktual është “ndalesë psikologjike” për votuesit.

Plani për ndërrimin e emrit është miratuar dhe do të votohet sërish për këtë propozim.

Le Pen është mposhtur nga presidenti Emmanuel Macron në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë partia ka humbur votuesit dhe Le Pen është përballur me presion nga babai i saj Jean-Marie Le Pen, i cili e ka themeluar partinë më 1972.

Babai i lideres, i ka thënë agjencisë Reuters muajin e kaluar se ndryshimi i emrit do të ishte “vetëvrasje” politike.

Mirëpo liderja shpreson se me ndryshimin e emrit do të ndryshohet edhe qasja ndaj partisë, pasi ajo shpesh lidhet me racizmin dhe anti-semitizmin.

“Për shumë francezë, madje edhe për ata që janë të sinqertë është ndalesë psikologjike”, ka thënë ajo.

“Ne fillimisht kemi qenë parti e protestave. Nuk duhet të ketë dyshim tani se ne mund të jemi parti udhëheqëse”, ka shtuar ajo.

Partia ka thënë se 52 përqind të anëtarëve e kanë përkrahur ndryshimin e emrit të partisë.

Anëtarët e tjerë do të votojnë përmes postës për emrin e ri.

XS
SM
MD
LG