Ndërlidhjet

Uzbekistani ofron ndërmjetësim në negociatat e qeverisë afgane me talibanët


Pamje nga takimi i sotëm në Tashkent.
Pamje nga takimi i sotëm në Tashkent.

Uzbekistani ka ofruar ndërmjetësimin e negociatave për paqe në mes të qeverisë së Afganistanit dhe talibanëve.

Presidenti, Shavkat Mirziyoev e ka bërë këtë ofertë më 27 mars gjatë një takimi të nivelit të lartë në kryeqytetin Tashkent, që ka për qëllim krijimin e rrugës për bisedime direkte në mes të qeverisë afgane dhe militantëve.

Kombi i Azisë Qendrore me 32 milionë banorë është duke kërkuar të rrisë pozitën e tij në botë, në kuadër të fushatës së presidentit për të hapur Uzbekistanin përballë investimeve të huaja, pas disa dekadave të izolimit dhe bllokimit ekonomik.

“Ne jemi të gatshëm për të krijuar kushtet e nevojshme në cilindo nivel të procesit për paqe dhe të organiziojmë në territorin uzbek bisedime direkte në mes të qeverisë së Afganistanit dhe talibanëve”, ka thënë Mirziyoev në një konferencë, në të cilin ishte pjesëmarrës edhe presidenti afgan Ashraf Ghani.

Në takim nuk ka pasur përfaqësues të talibanëve.

Të pranishëm ishin edhe shefja për politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe një numër i ministrave të Jashtëm, duke përfshirë atë të Rusisë, Sergei Lavrov, të Kinës, Wang Yi dhe homologun e tyre turk Mevlut Cavusoglu.

Shtetet e Bashkuara janë përfaqësuar nga nën-Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Jashtme, Thomas Shannon.

Palët pritet të nënshkruajnë një deklaratë për Afganistanin para mbylljes së konferencës.

XS
SM
MD
LG