Ndërlidhjet

Shkupi dhe Athina: Optimizëm nga bisedimet për emrin në Vjenë


Nga e majta në të djathtë: ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz, dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Vjenë, 30 mars 2018.
Nga e majta në të djathtë: ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ndërmjetësuesi i OKB-së, Matthew Nimetz, dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov. Vjenë, 30 mars 2018.

Maqedonia dhe Greqia kanë vazhduar në Vjenë të Austrisë bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Ato po zhvillohen në Ministrisë e Jashtme të Austrisë me ndërmjetësimin e diplomatit të OKB-së, Matthew Nimetz.

Detaje nga takimi nuk janë dhënë, por ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja vendeve, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, para takimit janë shprehur me tone optimiste për rrjedhën e bisedimeve, por pa saktësuar pozicionet e tyre, që tashmë janë të njohura për opinionin.

Pala greke kërkon zgjidhje “erga omnes”, zgjidhje për përdorim të brendshëm dhe ndërkombëtar, emër me përcaktim gjeografik dhe të papërkthyeshëm, si dhe ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë.

Pala maqedonase pranon ndryshimin e emrit, por me përkthim ndërkombëtar, ndërsa refuzon ndryshimin e Kushtetutës.

Lidhur me bisedimet e Vjenës është prononcuar edhe ministrja e Mbrojtjes, njëherësh zëvendëskryeministre e Maqedonisë, Radmilla Sheqerinska.

Radmilla Sheqerinska - foto arkivi
Radmilla Sheqerinska - foto arkivi

“Ne vlerësojmë se raportet e mira me fqinjët janë çështje që ne duhet t’i zgjidhim, edhe sikur të mos ishte çështja e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ne po investojmë për raporte të mira me të gjitha shtetet, përfshirë edhe Greqinë. Maqedonia ka paguar një çmim të lartë për veton e Greqisë në samitin e Bukureshtit, por tani e kemi të qartë se ajo që kemi kaluar në këta dhjetë vjetët e fundit, duhet të na ndihmojë që të gjejmë zgjidhje. Nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të përfitojë edhe Greqia, andaj ajo duhet ta mbështesë këtë proces”, ka thënë Sheqerinska.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare kanë vlerësime të ndryshme mbi rrjedhën e bisedimeve dhe rolin e bashkësisë ndërkombëtare.

Ish-diplomati Risto Nikovski thotë se gjërat kanë ndryshuar pas ftohjes së raporteve me Moskën, për shkak të dëbimit të diplomatëve rusë nga Maqedonia.

Ai thotë se kontesti për emrin nuk mund të zgjidhet pa kaluar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe atje, sipas tij, Rusia mund të përdorë veton, me çka edhe e bllokon zgjidhjen e mundshme mes dy shteteve.

“Kjo mund që të na kthehet, pasi kur nesër do të vijë në rend dite çështja e emrit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rusët mund të vënë veto. Këtë të drejtë e kanë dhe ne, edhe për një kohë të gjatë, mund të mbetemi pa zgjidhjen e kontestit”, thotë Nikovski.

Por, analisti Blerim Reka beson në zgjidhjen e kontestit me një marrëveshje dypalëshe dhe në këtë, sipas tij, rol të madh do të ketë NATO-ja dhe BE-ja, pasi, siç thotë, bëhet fjalë për një kontest që në rast se nuk zgjidhet, mund të ketë komplikime gjeopolitike.

“Ky presion që u bëhet dy shteteve, bëhet me qëllim për të eliminuar pengesën e fundit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Në korrik shpresohet se Maqedonia do të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës dhe më këtë ajo do ta përmbyllë krahun jugor të NATO-së në Ballkan”, thotë Reka.

Sidoqoftë, deri në arritjen e marrëveshjes, sipas dy delegacioneve, ka ende shumë punë.

XS
SM
MD
LG