Ndërlidhjet

Reporterët pa Kufij: Mediat në Kosovë vuajnë nga ndikimi direkt politik


Kosova është renditur në mesin e vendeve me media pjesërisht të lira, në raportin e ri të organizatës ndërkombëtare, “Reporterëve pa Kufij”. Duke ju referuar mediave kosovare, organizata vlerëson se mediat në Kosovë, mes tjerash vuajnë nga ndikimet direkte politike.

“Mediat në Kosovë vuajnë nga ndikimet direkte dhe indirekte politike, presion financiar si dhe varësi nga pronarët”, thuhet në raport. Më tutje thuhet se gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare, përballen me akuza për tradhti ose simpati ndaj serbëve.

“Reporterët pa kufij”, në veçanti përmendin rastin kur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj erdhi në pushtet duke marrë drejtim e Qeverisë dhe ku ai i quajti të pashkolluar gazetarët.

“Pak ditë pasi kishte krijuar Qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë dhe i këshilloi ata që t’i kthehen shkollës”, thuhet në pjesën që përshkruan veprimin e kryeministrit.

Raporti i këtij viti përmend edhe sulmin ndaj dy gazetarëve hulumtues për të cilët thotë se u sulmuan pasi kishin bërë raportime kritikuese për Qeverinë dhe aleatët e tyre.

“Reporterët pa Kufij, gjithashtu raportojnë për ndasi etnike në media.

“Ndasitë etnike në Kosovë janë veçanërisht të dukshme në media ku shqiptarët që përbëjnë shumicën, rrallëherë janë parë duke punuar përkrah atyre serbë në një frymë të bashkëpunimit dhe vullnetit të mirë”, thekson raporti.

Kur i referohet Qeverisë, raporti thotë se qeveria aktuale duket më e gatshme të flasë me gazetarët dhe mediet në tërësi, për dallim prej dy qeverive të mëparshme, të cilat ishin shumë më pak të hapura për dialog.

Kosova renditet në vendin 78-të në listën e “Reporterëve pa Kufij”.

XS
SM
MD
LG