Ndërlidhjet

Takimi i Vjenës, asnjë marrëveshje mes Shkupit e Athinës


Nga e majta në të djathtë: ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimetz, dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias. Vjenë, 25 prill, 2018.

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete takimi në Vjenë për kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, kanë biseduar katër orë, por, përveç gatishmërisë për të vazhduar procesin negociues, nuk është arritur asnjë progres për kontestin prej më se dy dekadash.

"Të dyja palët janë shumë të përkushtuara për të gjetur një zgjidhje. Negociatat do të vazhdojnë në javët e ardhshme", ka deklaruar Matthew Nimetz, ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet mes dy shteteve.

Para takimit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka shprehur optimizimin e tij për rezultate pozitive nga bisedimet e Vjenës, ndërsa, duke komentuar deklaratën e së martës të komisionarit evropian për zgjerim, Johannes Hahn, për zgjidhjen e shpejtë të kontestit, Zaev ka thënë se ajo ishte një “deklaratë miqësore, e nxitur nga dëshira për mbylljen e problemit shumëvjeçar”.

Megjithatë, Zaev ka shtuar se për një marrëveshje të mundshme nevojitet ende kohë.

Por, deklarata e komisionarit Hahn ka nxitur reagime negative nga zyrtarët grekë, të cilët i kanë bërë thirrje zyrtarit të lartë evropian të përmbahet nga vlerësimet e “gabuara” lidhur me rrjedhën e bisedimeve për emrin.

“E ftojmë komisionarin Hahn të mos vazhdojë me pikëpamje të gabuara mbi negociatat... Më e pakta që mund të bëjë, është të ndalojë minimin e tyre”, është thënë në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke.

Lidhur me bisedimet është prononcuar edhe opozita maqedonase, e cila ka kritikuar qeverinë për jotransparencë.

“Të martën ishim dëshmitarë të dy deklaratave diametralisht të ndryshme: njëra e komisonarit për zgjerim, Johannes Hahn, i cili thotë se për dy javë do të zgjidhet problemi, dhe deklarata e kryeministrit Zaev, i cili u shpreh se është kohë e shkurtër që të arrijmë zgjidhje. VMRO DPMNE nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodh me procesin negociues”, ka deklaruar Dragan Danev nga partia opozitare VMRO DPMNE.

Dallimet kryesore mes dy vendeve kanë të bëjnë me identitetin, përdorimin e gjuhës dhe historinë. Pala maqedonase ka pranuar ndryshimin e emrit të shtetit, por jo edhe ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim të përshtatjes së saj me emrin e shtetit.

Pala greke kërkon gjetjen e një emri që të përdorët si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit.

Zgjidhja, sipas zyrtarëve grekë, do të jetë e pamundur pa ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG