Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Shqipëri: Lirohet ish-ministri Saimir Tahiri


Tiranë - foto arkivi

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Shqipëri ka marrë vendim për heqjen e masës “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohej për përfshirje në krim të organizuar.

Tahiri, i cili u largua nga posti i ministrit, mbeti deputet deri në fillim të muajit maj, kur edhe dha dorëheqje nga ky post dhe imuniteti i tij si deputet, për t’i hapur rrugë Prokurorisë për hetime ndaj tij.

Ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, për mediat vendore shqiptare reagoi për lirimin e ish-ministrit, duke thënë: “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve”.

Ai i bëri thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje “në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para”.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, përmes një postimi në Facebook tha se “lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë”.

Hetimet për Saimir Tahirin filluan pas publikimit të disa përgjimeve telefonike ku ai dëgjohej se ishte i përfshirë në krim të organizuar për trafik me drogë me një familje mafioze shqiptare në Itali.

Të shtunën, mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria iu bashkuan thirrjeve të opozitës së bashkuar në një protestë në Tiranë kundër Qeverisë së Shqipërisë.

Me thirrje kundër “kanabizimit të vendit” dhe “Rama ik” ata marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit deri te ndërtesa e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm aktual të vendit, Fatmir Xhafaj, për të cilin thonë se është po ashtu i përfshirë në krim të organizuar dhe trafik të drogës.

Shqipëria ka marrë rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin prill të këtij viti.

Shqipërisë i ishte dhënë statusi i kandidatit për Bashkim Evropian në vitin 2014 dhe ka pritur fillimin e negociatave për anëtarësim deri tani.

Negociatat për t’iu bashkuar familjes evropiane pritet të fillojnë në muajin qershor të 2018-ës.

Megjithatë, zyrtarë të BE-së kanë thënë se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në pesë prioritetet që përfshijnë: reformën në administratën publike, efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjen e të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG