Ndërlidhjet

Pompeo arrin në Phenjan, diskuton çështjet bërthamore


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka arritur në Phenjan për të diskutuar rreth specifikave të procesit të denuklearizimit të Koresë Veriore dhe mënyrave për të përmirësuar marrëdhëniet në mes të dy kombeve.

Pomepo është pritur në aeroportin e kryqytetit verikorean nga ish-shefi i Inteligjences, Kim Yong Chol dhe ministri i Jashtëm verikorean, Ri Yong Ho.

Kjo njëherësh është vizita e tij e tretë prej muajit prill dhe e para prej mbajtjes së samitit të 12 qershorit në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un.

“Liderët tanë kanë treguar përkushtim në samitin e Singaporit për denuklearizim të plotë të Koresë Veriore dhe kanë diskutuar idenë e asaj se si mund të transformohen marrëdhëniet SHBA-Kore Veriore”, është cituar të ketë thënë Pompeo derisa është nisur drejt Koreë Veriore.

“Prej mbajtjes së samitit, konsultimet kanë vazhduar. Në këtë udhëtim unë synoj të shtoj disa detaje të këtij përkushtimi dhe të vazhdojmë procesin e zbatimit të asaj që kanë premtuar të dy liderët njëri-tjetrit dhe botës. Shpresoj se Koreja Veriore është e gatshme për ta bërë të njëjtën gjë”, ka thënë Pompeo.

Pompeo është takuar me Kimin në dy takimet e tij më parë, në muajin maj para mbajtjes së samitit Trump-Kim dhe në fillim të muajit prill kur ende ishte drejtor i CIA-s.

Pompeo pritet të mbajë takime më 6-7 korrik para se të niset nga Phenjani në Japoni, në kuadër të udhëtimit të tij të parë në botë, si diplomat i lartë i Uashingtonit.

XS
SM
MD
LG