Ndërlidhjet

SHBA “nuk e shqyrton” propozimin e Putinit për Ukrainën


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin. 16 korrik, 2018

Administrata e Shteteve të Bashkuara thotë se nuk “po është duke e shqyrtuar mundësinë që të mbështesë” propozimin e bërë nga presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në Helsinki me presidentin amerikan, Donald Trump, për mbajtjen e një referendumi në rajonet në lindje të Ukrainës.

Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Garrett Marquis tha sot se organizimi “i të ashtuquajturit referendum” nuk do të kishte “legjitimitet”.

Më herët gjatë ditës, ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov tha se Trumpi dhe Putini kanë biseduar për “propozime konkrete” për zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës.

Ambasadori Anatonov këto komente i bëri një ditë pas Bloomberg, duke cituar burime, raportoi se Putini u ka thënë diplomatëve rusë se ai i ka propozuar presidentit Trump për mbajtjen e një referendumi në dy rajonet ukrainase, që janë nën kontrollin e separatistëve që mbështeten nga Rusia.

Trump ka shkruar në Twitter se ai dhe Putini gjatë samitit në Helsinki kanë biseduar për Ukrainën, por nuk ka përmendur mbajtjen e ndonjë referendumi eventual, e as nuk ka dhënë më shumë detaje rreth bisedës për konfliktin në Ukrainë.

Mbi 10,300 persona janë vrarë që prej prillit të vitit 2014, kur nisi konflikti në mes të forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet Donjetsk dhe Luhansk të Ukrainës.

Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështetja që i ofroi separatistëve, shtyri që Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera, të vendosnin sanksione ndaj Rusisë.

XS
SM
MD
LG