Ndërlidhjet

Italia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën


Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është takuar sot me presidenten e Senatit italian, Maria Elisabetta Alberti Casellati, me të cilën ka biseduar për mbështetjen e Italisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti.

Veseli, i cili gjendet në një vizitë në Itali, tha se Casellati i ka dhënë përkrahjen e shtetit italian në të gjitha drejtimet. Kryeparlamentari ka kërkuar mbështetjen e Senatit italian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në anën tjetër, presidentja e Senatit të Italisë Casellati tha se shteti i saj do të vazhdojë të përkrahë Kosovën, veçmas me proceset që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.

“Ne në Itali jemi në anën tuaj. Jemi të gëzuar se ka pasur hapa pozitivë në këtë drejtim. Do të përpiqemi të influencojmë pozitivisht në vendet e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Ne vlerësojmë reformat në sistemin e drejtësisë që janë bërë deri më tani. Më vjen mirë që opozita flet me të njëjtën gjuhë si pozita për një interes kaq madhor si liberalizimi i vizave”, ka thënë Casellati, thuhet në një kumtesë për media të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Evropian ka dhënë tanimë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovën. Tani pritet që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të votojnë për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG