Ndërlidhjet

Afganistani synon t’ua ndalojë pjesëmarrjen në zgjedhje disa personave


Një punëtor në Komisionin Zgjedhor regjistron një votues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Afganistan.
Një punëtor në Komisionin Zgjedhor regjistron një votues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Afganistan.

Trupi kryesor zgjedhor në Afganistan ka rekomanduar që 35 kandidatëve t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për shkak të dyshimeve se mund të kenë lidhje me grupe të armatosura.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor për Ankesa ka listuar emrat e kandidatëve, ku janë përfshirë edhe 12 anëtarë aktualë të Parlamentit. Gjithashtu, ky komision ka paralajmëruar se në këtë listë mund të futen edhe 45 kandidatë të tjerë.

Tashmë kjo listë me emra të kandidatëve i është dërguar Komisionit të Pavarur Zgjedhor, që do të bëjë publik listën finale të kandidatëve që do të kenë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje. Shumica e kandidatëve që janë në listën e ndalimit, tashmë kanë apeluar këtë vendim.

Rreth 2,300 kandidatë në mbarë Afganistanin kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, që janë caktuar të mbahen më 20 tetor.

Këto zgjedhje shihen si test kyç për demokracinë në vendin e shkatërruar nga lufta dhe shihen edhe si një sprovë kyçe për besueshmërinë dhe popullaritetin e Qeverisë së presidentit, Ashraf Ghani.

Zgjedhjet presidenciale afgane, ndërkaq, janë planifikuar të mbahen më 20 prill të vitit 2019.

XS
SM
MD
LG