Ndërlidhjet

Thaçi i përgjigjet Kandiqit: Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të angazhohet për liri dhe siguri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të letrës së humanistes serbe, Natasha Kandiq, e cila ka kërkuar nga Thaçi që personalisht të angazhohet për t'iu mundësuar serbëve nga Gjakova që më 28 gusht të vizitojnë kishën dhe shtëpitë e tyre dhe të mos u nënshtrohen, siç ka thënë ajo, poshtërimeve sikurse vitin e kaluar.

"Sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës", tha Thaçi në përgjigjen e tij të postuar në Facebook.

"Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë", tha Thaçi.

Ai po ashtu i shprehu "mirënjohje të thellë" Kandiqit për aktivitetin e saj para, gjatë dhe pas luftës.

XS
SM
MD
LG