Ndërlidhjet

Boris Johnson parashikon "fitore" të BE-së në negociatat për Brexit


Boris Johnson.

Ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka sulmuar sërish Qeverinë Britanike të hënën, duke parashikuar “fitore” për Bashkimin Evropian, në negociatat për Brexit me Londrën, transmeton AFP.

Prej kur është larguar nga pozita në muajin korrik, Johnson i është kthyer punës së vjetër në gazetën eurospektike, Daily Telegraph, duke publikuar kolumne, në të cilat sulmohet Qeveria e kryeministres britainike, Theresa May rreth negociatave për Brexit.

Në shkresën e tij të fundit, Johnson i ka krahasuar bisedimet në mes të dy palëve me ndeshjet në mundje.

“Frikësohem se rezultati i pashmangshëm është fitore për BE-në, teksa Mbretëria e Bashkuar qëndron në një kanavacë me 12 yje që simbolikisht rrotullohen rreth kokës sonë gjysmë të vetëdijshme”, ka thënë ai.

Johnson ka pasur rol kyç në fushatën e referendumit për Brexit dhe ishte emëruar sekretar i Jashtëm në korrik të vitit 2016, kur Britania kishte filluar negociatat me Brukselin rreth asaj se si do të ndodhte largimi nga blloku.

Ai ishte tërhequr nga detyra e tij së bashku me ish-Sekretarin për Brexit, David Davis, pasi kryeministrja May kishte shpalosur planet për largim të Britanisë nga tregu i përbashkët, mirëpo duke mbajtur të njëjtën pjesë të tregtisë së lirë për mallra dhe produkte bujqësore përmes një marrëveshjeje për doganat dhe rregullore të përbashkët me bllokun.

Johnson dhe përkrahësit e tij të linjës së ashpër mendojnë se një pakti i tillë e mban Britaninë shumë të afërt me bllokun, derisa liderët e BE-së kanë deklaruar vazhdimisht se duhet bërë më shumë kompromise.

Ndërkohë May, e cila po përballet me fushatë të ashpër edhe brenda vetë partisë së saj, ka përsëritur të dielën se ajo do të preferonte largimin e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje sesa të vazhdojë të bëjë koncesione tjera me Brukselin.

XS
SM
MD
LG