Ndërlidhjet

Rumania "nuk është e gatshme për presidencën e BE-së"


Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.
Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis.

Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se vendi i tij nuk është i gatshëm të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në muajin janar dhe i bëri thirrje kryeministres të japë dorëheqje.

"Sipas mendimit tim, ne nuk jemi të përgatitur për këtë", tha Iohannis të hënën në Bukuresht.

Viorica Dancila, politikane nga Partia Social-Demokrate që ka pushtetin në Rumani, është emëruar kryeministre në janar dhe që atëherë është kritikuar si figurë në një qeveri që në fakt drejtohet nga shefi i Social-Demokratëve, Liviu Dragnea, i cili nuk ka mundur të bëhet kryeministër, për shkak të një dënimi për manipulim me vota.

"Tani duhet të zëvendësohet ky aksident - qeveria Dragnea-Dancila", tha Iohannis.

"Nuk ka asnjë shans për një qeveri të mirë ... apo përfshirje të duhur në çështjet evropiane", shtoi ai.

Iohannis i bëri komentet pasi ministri për Çështje Evropiane i Rumanisë, Viktor Negresku, dha dorëheqje javën e kaluar, pas trazirave në qeveri lidhur me përgatitjet për presidencën gjashtëmujore të BE-së.

Muajin e kaluar, komisionarja për drejtësi e BE-së, Vera Jourova, shprehu shqetësim për kapacitetet e Rumanisë për të menaxhuar me presidencën.

BE-ja, më 13 nëntor, do të lëshojë raportin e saj të fundit mbi sistemet gjyqësore të Rumanisë dhe Bullgarisë.

XS
SM
MD
LG