Ndërlidhjet

Diskutohet platforma e dialogut pa opozitën


Pamje nga një takim i Ekipit negociator për dialogun, me krerët shtetërorë. Fotografi nga arkivi.
Pamje nga një takim i Ekipit negociator për dialogun, me krerët shtetërorë. Fotografi nga arkivi.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe Ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë zhvilluar takim të përbashkët për t’i diskutuar temat e dialogut, në kuadër të fazës finale të bisedimeve në Bruksel, që po lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Takimi ishte thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Veseli tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë në interes të Kosovës.

Ai është zotuar për një proces transparent, duke besuar se rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, si një lloj parakushti që i mundëson Kosovës më pas anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Ne do të vazhdojmë, vendimmarrja do të jetë e qytetarëve të Kosovës, çdo vendim është me dy të tretave (e votave) e Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu është referendumi ku do të vendosin qytetarët tanë. Kjo do të jetë vendimmarrje”, tha Veseli.

Ndiqeni Radion Evropa e Lirë, përmes aplikacionit në iOS dhe Android

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Ekipit negociator, bëri të ditur se arsyeja e krijimit të Ekipit negociator është të ndërtohet një konsensus herët në proces dhe të flitet me një zë.

“Pas takimit në Bruksel më 8 janar ne i kemi disa objektiva të qarta, e para është se kemi dakordim të plotë që për neve nuk ka më dialog teknik, ku ne mund të flasim për një temë dhe pastaj të shohim a zbatohet apo jo. Por, është e qartë se ky dialog rezulton me njohje të ndërsjellë nëse nuk ka njohje të ndërsjellë dhe nuk ka perspektivë për anëtarësim në OKB. atëherë asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk do të vlejë”, theksoi Ahemti.

Në këtë takim, ndonëse të ftuar, nuk kanë marrë pjesë edhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Të dy këto parti po refuzojnë që të bëhen pjesë e procesit të dialogut me Serbinë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

XS
SM
MD
LG