Ndërlidhjet

Pompeo: SHBA tërhiqet nga Traktati i Forcave Bërthamore


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do t'i pezullojnë obligimet e tyre me Traktatin për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme, nisur nga 2 shkurti.

Duke folur të premten, Pompeo tha se Uashingtoni do ta njoftojë zyrtarisht Moskën se SHBA-ja do të tërhiqet nga traktati për gjashtë muaj.

Pompeo u tha gazetarëve në Uashington se SHBA-ja mbetet e hapur për negociata me Rusinë për kontrollin e armëve.

Ai tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do një marrëveshje që është e verifikueshme dhe e zbatueshme.

Pak kohë pas njoftimit të Pompeos, aleatët e NATO-s lëshuan një deklaratë, duke thënë se "e mbështesin plotësisht " vendimin e SHBA-së për t'u tërhequr nga traktati.

Uashingtoni ka paralajmëruar që disa muaj se do të dalë nga marrëveshja në fillim të shkurtit, nëse Rusia nuk e shkatërron një lloj rakete për të cilën SHBA-ja thotë se e shkel marrëveshjen.

Rusia e mohon se raketa në fjalë, 9M729, e shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme.

Traktati SHBA-Rusi, i cili daton nga Lufta e Ftohtë dhe ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.

XS
SM
MD
LG