Ndërlidhjet

May në diplomacinë e minutës së fundit për Brexit-in


Kryeministrja britanike, Theresa May.

Kryeministrja britanike, Theresa May, do të qëndrojë të martën në Berlin dhe Paris për të biseduar rreth Brexit-it, apo daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

May do të takojë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, konfirmuan zyrtarët në Gjermani dhe në Francë.

Diplomacia e minutës së fundit vjen një ditë para se Bashkimi Evropian të mbajë një samit, në të cilin do të vendosë rreth kërkesës së Mayt për të shtyrë Brexit-in, i cili, siç është e paraparë aktualisht, duhet të ndodhë të premten.

Në samitin e së mërkurës, May do të kërkojë shtyrjen e Brexit-it deri më 30 qershor.

Bashkimi Evropian ka thënë se pret që May të dalë me një plan konkret që e justifikon shtyrjen.

Vitin e kaluar, May ka arritur marrëveshje me BE-në mbi kushtet e divorcit, por plani i saj është refuzuar tri herë nga ligjvënësit britanikë.

Kundërshtimet kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat në kufirin me Irlandën, që do të zbatoheshin pas Brexit-it.

Merkel dëshiron të shmangë Brexit-in pa marrëveshje, sepse Britania do të largohej pa rregulla që rregullojnë marrëdhëniet e saj të ardhshme me BE-në.

Por, Macron ka marrë një qëndrim më të ashpër dhe ka thënë se May nuk ka dalë me ndonjë alternativë të besueshme për planin e saj.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian paralajmëroi se Britania ka gjithnjë e më shumë gjasa të largohet pa marrëveshje.

Britania ka vendosur të lërë bllokun në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

XS
SM
MD
LG