Ndërlidhjet

Quint-i: Çështja e frikësimit në veri dhe të tjera mbeten të paadresuara


Zgjedhjet në veri të Kosovës, 19 maj 2019.
Zgjedhjet në veri të Kosovës, 19 maj 2019.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të njohura si vendet e Quint-it, thanë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, kanë kaluar në një atmosferë të qetë.

Megjithatë, ato i kujtuan gjetjet e Misionit të Bashkimit Evropian të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, më 2017, të cilat shprehnin "shqetësime serioze" për frikësim në shumë zona të populluara me serbë, e sidomos kundër partive politike që konkurronin kundër Listës Serbe.

"Këto mangësi, si dhe kërkesat për përditësimin e regjistrave të votuesve dhe qartësimin e procedurave, mbeten të paadresuara dhe rezultojnë në konkurrencë të kufizuar elektorale dhe pjesëmarrje të kufizuar politike, duke ngritur kështu pyetje rreth procesit të përgjithshëm demokratik në ato zona", thuhet në komunikatën e përbashkët të ambasadave.

"Iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike, që t'i adresojnë urgjentisht këto mangësi, duke i zbatuar rekomandimet e Misionit të BE-së të Vëzhgimit të Zgjedhjeve", thotë deklarata, duke shtuar se "të zgjedhurit duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e të gjitha komuniteteve brenda komunave të tyre".

Më 19 maj u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, subjekti politik Lista Serbe i fitoi të katër komunat.

Zgjedhjet atje janë shpallur pasi që kryetarët e këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, kanë dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj taksës doganore 100% që Kosova u ka vënë mallrave të importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG