Ndërlidhjet

Kosnett: Për një vit, gjykatësit e Supremes morën paga pa marrë asnjë vendim


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philipp Kosnett.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philipp Kosnett.

Në vazhdën e publikimeve të përjavshme të komenteve lidhur me sundimin e ligjit në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philipp Kosnett, i kritikoi për mospunë gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në një postim në Twitter, ai shkroi se, ndonëse Ligji i vjetër për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ua ka pamundësuar gjykatësve vendorë të vazhdojnë gjykimet pa kolegët nga EULEX-i - misioni evropian për sundim të ligjit - ata kanë mundur të punojnë në përgatitjen e lëndëve të mbetura prapa.

“Gjykatësit e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kanë marrë paga për një vit pa marrë asnjë vendim, pasi një ligj i vjetër (tani i ndryshuar) thoshte se gjykatësit e EULEX-it duhej të ishin të ulur aty për të vazhduar gjykimet. Këta gjykatës kanë mundur të përgatisin lëndët e mbetura prapa”, tha Kosnett.

Në një postim tjetër, ai hodhi dyshime mbi përzgjedhjen në poste diplomatike, të karrierës dhe jo të karrierës, duke pyetur: “Ministria e Punëve të Jashtme, a është duke i ndjekur procedurat për përzgjedhjen (e kandidatëve) bazuar në konkurrencë dhe merita?”.

Ndërsa në postimin e tretë, ambasadori Kosnett u shpreh i kënaqur me komunat, të cilat kanë marrë parasysh rekomandimet e shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me prokurimin publik.

“I lumtur që shoh shembuj të komunave që anulojnë ose korrigjojnë njoftimet e prokurimit publik duke u bazuar në rekomandimet e shoqërisë civile dhe mediave. Mbikëqyrja dhe monitorimi janë çelësi më i mirë i transparencës”, tha Kosnett.

XS
SM
MD
LG