Ndërlidhjet

Pompeo optimist për rifillimin e bisedimeve midis SHBA-së dhe Koresë Veriore


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shprehu optimizëm lidhur me rinisjen e bisedimeve me Korenë Veriore duke thënë se të dyja palët kanë bërë “lëvizje përpara” krahasuar me një vit më parë.

Sekretari Pompeo ishte pjesë e delegacionit të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë takimit me udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong Un, në zonën e demilitarizuar, që ndan Korenë Veriore prej asaj Jugore.

“Mendoj se Kim dëshiron vertetë të bëjë diçka domëthënëse, ashtu sikurse që ne duam ta bëjmë të njëjtën”, tha Pompeo.

Trump dhe Kim janë takuar dy herë në samitet e nivelit të lartë, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të bindur Phenianin të heqë dorë nga armët bërthamore. Presidenti Trump, e ka bërë arritjen e një marrëveshjeje me Kimin si gurthemel të politikës së tij të jashtme.

Pasi kaloi rreth 50 minuta në bisedime pas dyerve të mbyllura me Kim, Pompeo tha se të dy palët kishin caktuar ekipet për të rifilluar negociatat bërthamore, por shtoi se ende nuk ka një plan pune.

Trump ndaloi në Korenë e Jugut gjatë kthimit nga Japonia ku mori pjesë në Samitin G20.

Ai më pas shkoi në zonën e demilitiarizuar ku takoi udhëheqësin, Kim Jong Un, dhe më pas pas kaloi në anën e Koresë Veriore, duke u bërë presidenti i parë amerikan që shkel në tokën e Koresë Veriore. Pas qëndrimit për disa sekonda në territorin e Koresë Veriore, Trump dhe Kim u kthyen në zonën e demilitarizua për të zhvilluar takimin.

Ben Rhodes, ish-zëvëndës këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë,në kohën e presidentit Barak Obama, e hodhi poshtë takimin historik, si asgjë më shumë se një marifet të marketingut.

"Programi bërthamor i Koresë së Veriut është rritur qëkur Trump u takua për herë të parë me Kim. Kim e di se Trump kërkon vetëm fotografi, dhe Trump e di se shumica e mediave amerikane do t'i japin atij një fitore për një foto. Pra, këtu jemi", tha Rodos.

XS
SM
MD
LG