Ndërlidhjet

Dhjetëra të vrarë nga sulmi në një qendër migrantësh në Libi


Libi - foto arkivi

Së paku 40 njerëz u vranë nga një sulm ajror që goditi një qendër të ndalimit të migrantëve në Libi, njoftuan zyrtarët.

Rreth 80 të tjerë u raportuan të plagosur në shpërthimin që ndodhi në një objekt në periferi të kryeqytetit Tripoli.

Shumica e të vrarëve raportohet të jenë migrantë afrikanë.

Qeveria me bazë në Tripoli e fajësoi të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar, për sulmin.

Qeveria kërkoi nga Kombet e Bashkuara të krijojë një komision faktmbledhës për të hetuar sulmin.

Gjenerali Haftar po lufton qeverinë në Tripoli, të mbështetur ndërkombëtarisht, qysh në muajin prill.

Një zëdhënës i tij tha për agjencinë e lajmeve Reuters se forcat e Haftarit nuk e kanë goditur qendrën e migrantëve.

Agjencia e OKB-së për refugjatë tha se është "jashtëzakonisht e shqetësuar" nga raportet për sulm në qendrën e migrantëve.

Në vitet e fundit, Libia ka qenë një rrugë kryesore për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë.

Ky vend është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i tij veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

XS
SM
MD
LG