Ndërlidhjet

Arrestohen katër ndihmës të organizatorit të dyshuar të sulmeve në Mumbai


Sulmet në Mumbai, 2008.

Autoritetet në Pakistan thanë se kanë arrestuar katër ndihmës të Hafiz Saeedit, organizatorit të dyshuar të sulmeve terroriste në Mumbai të Indisë, në vitin 2008.

Të katërtit u ngarkuan me akuza për financim të terrorizmit.

Saeed është në paraburgim, nën akuza të ngjashme, qysh në muajin korrik.

Zyrtarët indianë dhe amerikanë besojnë se Saeed ka ndihmuar në planifikimin e sulmeve në Mumbai, që është qyteti më i madh i Indisë.

Ato kanë ndodhur në nëntor të vitit 2008, kur dhjetë persona të armatosur kanë qëlluar në dy hotele luksoze, një qendër hebraike dhe një stacion treni, gjatë rrethimit që ka zgjatur disa ditë dhe ka marrë 166 jetë njerëzish.

Pakistani është nën presion në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për të ndaluar financimin e grupeve militante.

Sipas Indisë, Pakistani ka ndihmuar në organizimin e sulmeve në Mumbai, në bashkëpunim me Saeedin, i cili është udhëheqës i organizatës së bamirësisë Jamaat-ud-Dawa.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo organizatë është një fasadë për grupin militant Lashkar-e-Taiba, me seli në Pakistan.

Pakistani dhe Jamaat-ud-Dawa e kanë mohuar përfshirjen në sulmet në Mumbai.

XS
SM
MD
LG