Ndërlidhjet

Kryeministri britanik beson se deputetët do ta miratojnë marrëveshjen për Brexit


Kryeministri britanik, Boris Johnson.
Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson do të tentojë të bindë ligjvënësit për të përkrahur marrëveshjen për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian në votimin që do të zhvillohet të shtunën.

Johnson ka insistuar se “beson shumë” që ligjvënësit britanikë do ta përkrahin marrëveshjen e tij.

Mirëpo deputetët opozitarë besojnë se ai do të përballet me pengesa teksa dërgon marrëveshjen në parlament.

Kryeministri britanik pritet të fokusohet te deputetët që kanë votuar në të mirë të Brexitit, por edhe te disa deputetë që janë larguar nga Partia Konservatore, të cilës i përket Johnson.

Takimi i së shtunës në parlament përbën mundësinë e fundit për Johnsonin që të miratojë marrëveshjen për Brexit dhe të largojë Britaninë nga blloku evropian më 31 tetor.

Nëse deputetët refuzojnë planin e tij, atëherë bazuar në një ligj të miratuar nga vetë deputetët, Johnson detyrohet të kërkojë shtyrje të datës për Brexit deri më 31 janar të vitit 2020, pavarësisht pse ai ka insistuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Teksa ka lavdëruar marrëveshjen e arritur në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian në samitin e liderëve evropianë ditën e enjte, kryeministri britanik u ka kërkuar të gjithë deputetëve të votojnë dhe ta finalizojnë procesin e Brexitit.

Mirëpo partitë opozitare kanë thënë se nuk pajtohen se si dokumenti përcakton kontrollet kufitare në kufirin irlandez, dhe disa çështje tjera.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

XS
SM
MD
LG