Ndërlidhjet

Ish-ambasadorja në Ukrainë dëshmon në hetimet ndaj Trumpit


Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch.
Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Të premten, para Komitetit për Inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve, ka nisur dëshminë, ish ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Gjatë fjalës hyrëse, ajo ka kundërshtuar disa nga akuzat që janë bërë në drejtim të saj. Ajo tha se janë të pavërteta pohimet se ajo u ka thënë punonjësve të paidentifikuar të Ambasadës ose zyrtarëve të Ukrainës që urdhërat e Presidentit Trump duheshin injoruar sepse "ai do të fajësohej" - ose për ndonjë arsye tjetër.

“Unë nuk e bëra dhe nuk do ta thosha një gjë të tillë. Deklarata të tilla do të ishin në kundërshtim me trajnimin tim si Oficer i Shërbimit të Jashtëm dhe rolin tim si Ambasador”, tha ajo.

Ajo më tutje theksoi se Rudy Giuliani, avokat personal i presidentit dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan kundër saj "një fushatë dezinformimi. Ajo shtoi se "këto ngjarje duhet të shqetësojnë të gjithë në këtë dhomë".

Derisa ish-ambasadorja po jepte dëshminë e saj, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shkroi në rrjetin social Twitter, se kudo që ajo ka shkuar gjatë karrierës së saj "është bërë keq".

Hetimet ndaj Trumpi

Dhoma e Përfaqësuesve po e heton presidentin Trump nëse ai ka abuzuar detyrën e tij për përfitime personale dhe politike, duke nxitur një qeveri të huaj për të hetuar rivalët e tij politikë. Në veçanti, nëse Trump, pezulloi 390 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe i kërkoi presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy që të zhvillojë hetime ndaj kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter.

Procesi hetimor ndaj Trumpit po zhvillohet i hapur për publikun.

Në hapje të seancës, kryesuesi i Komitetit, Adam Schiff tha se "ambasadorja Yovanovitch jo vetëm që" hidhëroi "ukrainasit e korruptuar, si ish-prokurori i përgjithshëm i korruptuar Yuri Lutsenko, por edhe disa amerikanë si Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit Donald Trump dhe dy individë, të paditur tani, që kanë punuar me të, Igor Fruman dhe Lev Parnas”.

Kongresisti republikan, Devin Nunes akuzoi demokratët për "operacionin e tyre për të rrëzuar një president të zgjedhur sipas rregullave". Ai gjithashtu tha se seancat dëgjimore në kuadër të hetimit e kanë bllokuar punën legjislative të Kongresit. Ai akuzoi demokratët për "fantazitë e Watergate" duke iu referuar hetimit mbi presidentin Richard Nixon në vitet 1970.

Publikohet biseda e parë Trump-Zelensky

Në kohën kur po fillonte seanca në Dhomën e Përfaqësuesve, Shtëpia e Bardhë e ka publikuar transkriptin e bisedës së parë ndërmjet presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelensky.

Trump fillimisht e uron Zelenskyn për për fitoren në zgjedhje.

“Kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme”, i thotë Trump homologut Zelenskey.

Presidenti Trump kishte premtuar se do ta publikojë bisedën e parë telefonike, të zhvilluar në muajin prill.

Mirëpo, një bisedë e muajit korrik me presidentin Zelenskey është arsyeja që Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur procedurën e shkarkimit të presidentit Trump. Një informator, deri më tani i paidentifikuar, dërgoi ankesë duke thënë se biseda përbënte shkelje nga ana e presidentit amerikan.

Çfarë mund të ndodhë pas hetimeve?

Mund të ketë seanca të tjera publike të Komitetit të Inteligjencës. Pasi të mbarojnë seancat dëgjimore publike, Komiteti i Inteligjencës, së bashku me dy komitetet e tjera, pritet të raportojnë për gjetjet e tyre.

Ky raport do t'i dërgohet Komisionit Gjyqësor, i cili pritet të zhvillojë seancat e veta.

Më pas materiali i hartuar nga komiteti do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve për votim, që ka gjasa të ndodhë deri në fund të vitit. Gjyqi për të vendosur nëse përfundimisht do të shkarkohet presidenti zhvillohet në Senat, i cili kontrollohet nga Partia Republikane e Trumpit.

XS
SM
MD
LG