Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se qeveria "do të reflektojë seriozisht", pasi kandidatët pro demokracisë shënuan fitore masive në zgjedhjet lokale.
Sipas mediave atje, 17 nga 18 këshillat e qarqeve do të kontrollohen tani nga këshilltarët pro demokracisë.
Zgjedhjet e së dielës në Hong Kong kanë qenë të parat prejse ka nisur vala e protestave kundër regjimit të Pekinit, gati gjashtë muaj më parë.
Pjesëmarrja në to ka qenë e paparë më herët - mbi 71 për qind.
Rezultati shihet si një qortim i ashpër ndaj zonjës Lam dhe si shfaqje e mbështetjes për lëvizjen protestuese.
Në deklaratën e lëshuar të hënën, Lam tha se qeveria do ta respektojë atë.
Sipas saj, shumë mendojnë se rezultati "pasqyron pakënaqësinë e njerëzve me situatën aktuale dhe problemet e thella në shoqëri".
Këshilltarët e rretheve kanë pak fuqi politike dhe kryesisht merren me çështje lokale, siç janë rrugët e autobusëve dhe mbledhja e mbeturinave.
Por, këshilltarët gjithashtu duhet të zgjedhin 117 vetë nga rrethet e tyre, për t'u ulur në komitetin prej 1,200 anëtarësh që zgjedh shefin ekzekutiv të Hong Kongut.
Hong Kongu është pjesë e Kinës në bazë të politikës "një shtet, dy sisteme".
Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.
Më shumë në këtë temë: Lufta kundër "vdekjes" së Hong Kongut