Ndërlidhjet

Vazhdojnë kërkimet për personat e bllokuar nën rrënoja


Vazhdojnë gërmimet gjatë natës - qytetarët strehohen në stadium
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Vazhdojnë gërmimet gjatë natës - qytetarët strehohen në stadium

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe mbi 650 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se sot do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në perimetrin e Tiranës dhe Durrësit, në zonat më të prekura nga tërmeti.

Sipas emergjencave civile, si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 25 persona nga shembja e pallateve, ndër ta edhe dy të mitura. Po ashtu, bëhet e ditur se rreth 40 persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat në Durrës dhe Thumanë.

Në mesin e viktimave, janë edhe dy qytetarë nga Kosova, vëllezër nga Komuna e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.

"Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj!", tha Pacolli.

Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.

Një tjetër tërmet i fuqishëm me magnitudë prej 5.0 u shënua në Shqipëri në orën 14:10.

Ushtria e Shqipërisë nxjerr nga rrënojat një trup të pajetë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:40 0:00

Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka ka dhënë deklaratë të jashtëzakonshme lidhur me situatën e krijuar pas tërmeteve të fuqishme që goditën së fundi Shqipërinë.

Xhaçka ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për të shpëtuar të gjithë të prekurit nga lëkundjet e tokës, ndonëse në kushte të rënda për shkak të gjendjes së krijuar nga ndërtesat e rrënuara.

Shpëtimi i një personi nga rrënojat në Thumanë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:06 0:00

”Janë operacione tepër të vështira pasi ekziston që në godina të ndodhë shembje të tjera. E gjithë Qeveria dhe struktura ndërtuese e emergjencave civile është në terren. Janë 400 efektivë të forcave të armatosura në terren, mbi 1000 efektivë policë të shtetit dhe disa qindra personel mjekësor”, tha Xhaçka.

Shqipëri, vazhdojnë kërkimet për personat e bllokuar nën rrënoja
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00

Ndërkohë, ekipe të shpëtimit nga të gjitha vendet e rajonit janë nisur për në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë vendit.

Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës u janë bashkuar autoriteteve në Shqipëri në operacionet e kërkim shpëtimit.

Gjithashtu, misionet e huaja të emergjencave civile nga Gjermania, Italia, Franca, Zvicra dhe Greqia kanë filluar të arrijnë në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se qeveria do të nënshkruaj një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale.

"Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale", tha Rama në Facebook.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe ka bërë thirrje për organizim të jashtëzakonshëm institucional, por edhe shoqëror.

“Pasojat e tërmetit në Durrës janë dramatike dhe kërkojnë organizim të jashtëzakonshëm, jo vetëm shtetëror, por mbarëqytetar. Ndaj duke falënderuar institucionet për punën e tyre u apeloj të gjithë sipërmarrësve dhe qytetarëve që mund të ndihmojnë sadopak, të kontribuojnë që mijëra familje të tejkalojnë këtë moment dramatik”, tha presidenti Meta.

Gjatë ditës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili ka dalë në terren ka shkruar në Twitter se të gjitha strukturat e shtetit janë në duke punuar intensivisht për të shpëtuar çdo jetë.

“Goditja e fuqishme e tërmetit ka krijuar pasoja të rënda dhe fatkeqësisht kemi jetë të humbura. Të gjitha strukturat e shtetit janë në këmbë qysh në momentet e para pas goditjes. Punohet intensivisht për të shpëtuar çdo jetë të mundshme në disa pika fatale në Durrës e Thumanë. Është një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje së bashku. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë”, shkruan Rama.

Ambasada e Shteteve të Bashkaura të Amerikës në Tiranë ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe të prekurit e tërmetit.

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë se Blloku është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë.

“Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile. Qendra jonë për Emergjenca është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë edhe në selinë e NATO-s në Bruksel. Me anë të një postimi në Twitter, NATO shkruan:

“Flamujt e aleatëve tanë, Shqipëri dhe Francë janë ulur në gjysmë-shtizë në seli, pas tërmetit në Shqipëri dhe për të nderuar ushtarët e rënë francezë në Mali”.

Lëkundjet nga tërmeti në Shqipëri janë ndjerë edhe në Kosovë. Drejtori i Institutit Seizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka shkruar në Facebook duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos bëjnë panik.

Thirrjet e tij janë bërë menjëherë pas tërmetit, kur disa qytetarë në Prishtinë dhe qytete tjera kishin lëshuar ndërtesat e banimit si pasojë e frikës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka biseduar me kryeministrin Edi Rama për t'i ofruar ndihmën e Kosovës, pas tërmetit që goditi Shqipërinë.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro, dnihmë financiare, pas tërmeteve të fuqishme në Shqipëri.

Pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ka njoftuar se mësimi në mbarë vendin do të ndërpritet për dy ditë.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët.

Tërmeti i cili goditi Shqipërinë në mëngjesin e së martës, është më i fuqishmi që ka goditur Shqipërinë që nga viti 1926.

XS
SM
MD
LG