Ndërlidhjet

Evropa do të bëhet më guximtare, thotë shefi i ri i KE-së


Kreu i ri i Këshillit Evropian, Charles Michel. Bruksel, 29 nëntor 2019.

Evropa do të bëhet më "guximtare" në skenën botërore, tha kreu i ri i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili të premten mori detyrën nga Donald Tusk.

Ceremonia formale e pranim-dorëzimit u mbajt në Bruksel.

"Zonja dhe zotërinj, do të jetë privilegj për mua që t'iu shërbej qytetarëve evropianë. Do t'i qasem zgjidhjes së problemeve me risi dhe efikasitet. Do ta kem mënyrën time, i hapur për dialog dhe i përkushtuar në ndërtimin e urave dhe ndoshta më i kujdesshëm me postimet e mia në Twitter", tha Michel.

Michel, 43 vjeç, ish-kryeministër i Belgjikës, e lavdëroi Tuskun dhe, siç tha, përqendrimin e tij në ruajtjen e unitetit evropian gjatë pesë vjetëve të kaluar, derisa Evropa përballej me daljen e Britanisë nga BE-ja, me krizën me migrantë, me sulme nga xhihadistët në disa shtete të BE-së dhe me kufizime financiare.

Por, shtoi Michel, ka ardhur koha për BE-në që të ketë më shumë vetëbesim dhe të jetë më guximtare në skenën globale, veçanërisht duke ndërtuar struktura të përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë.

"Ne jetojmë në paqe, por duhet të jemi vigjilentë, shumë vigjilentë", tha ai.

Javën e ardhshme do të marrë detyrën edhe Komisioni i ri Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së dhe që do të udhëhiqet nga Ursula von der Leyen.

XS
SM
MD
LG