Ndërlidhjet

MPJ me dosje të reja pretendon rikthimin e hetimeve për krimet e luftës


Ilustrim

Më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99, pritet që t’i dorëzohen javën e ardhshme Prokurorisë Speciale nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këto dokumente, sipas shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, thanë për Radion Evropa e Lirë, se dosja e dokumenteve është e kompletuar dhe tash është gati për t’u dorëzuar në prokurori.

Dosjet e mbledhura nga MPJ
Dosjet e mbledhura nga MPJ

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se në çdo faqe të këtyre dokumenteve ka dëshmi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

"Kjo dosje përmban në mënyrë të detajuar, në mënyrë profesionale, shtjellimin e të gjitha ngjarjeve të cilat kanë ndodhur, përfshirjen e akterëve që kanë qenë në zinxhirin komandues dhe atyre që kanë kryer ekzekutimet në masë kundrejt civilëve shqiptarë", tha Zyberaj.

Sipas tij, rastet e krimeve të cilat kanë ndodhur janë të detajuara ku përfshirën dëshmi dhe ekspertiza të specializuara.

"Janë të bashkangjitura dëshmi të pjesëmarrëseve të policëve dhe paramilitarëve serbë në kryerjen e masakrave", tha Zyberaj.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shoh disa nga dokumentet të cilat pritet të dorëzohen në Prokurorinë e Kosovës.

Por, ekspertët tërheqin vërejtjen nëse këto dokumente, për të cilat po flet Ministria e Jashtme, do të cilësohen si prova apo informata për organet e drejtësisë. Gjithçka pritet të sqarohet javën tjetër, kur edhe do t’i dorëzohen prokurorisë.

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, dega në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Fondi për të Drejtën Humanitare, mendon se çdo informatë që dorëzohet në prokurori lidhur me zbardhjen e krimeve të luftës është e mirëseardhur.

"Këto prova të cilat dorëzohen mund të jenë vetëm si informata për Prokurorinë Speciale. Ndoshta, ata kanë mundur t'i parashtrojnë në formë të kallëzimeve penale dhe t’i analizojnë me avokatët e tyre dhe kështu t’i ndërlidhin të pandehurit me incidente dhe viktimat sepse ato prova nëse dorëzohen nga ndonjë procedurë që nuk është në përputhje me proceduarat penale ato mund të shërbejnë vetëm si informata", tha Alija.

Në anën tjetër, zyrtarët në MPJ, thonë se në dokumente figurojnë emrat e personave të dyshuar për vrasjen e personaliteteve të shquara, ndër të cilët përmendet politikani i njohur kosovar i viteve të ’90-ta, Fehmi Agani, i vrarë në vitin 1999.

"Natyrisht ka edhe raste individuale, dihet një numër i madh i njerëzve që janë ekzekutuar veçanërisht pas marsit të vitit 1999, që janë ekzekutuar në lokalitete urbane e që janë raste të bujshme", tha Zyberaj.

*Video nga arkivi: Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?

Ministria e Jashtme e Kosovës ka kritikuar drejtësinë ndërkombëtare, për faktin se, siç thuhet, deri më tash nuk ka arritur të nxjerrë përpara drejtësisë personat të cilët kanë kryer krime në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme të në detyrë, i Qeverisë së Kosovë, Behgjet Pacolli një ditë më parë në një konferencë për media, tha sa këto dokumente janë siguruar nga burime të ndryshme përmes mënyrave ligjore për të siguruar mbështetje për prokurorët e Kosovës.

"Kjo është mënyra e vetme që Kosova ta mbajë të vërtetën gjallë dhe të sjellë drejtësi. Kjo është mënyra e vetme për të kujtuar atë që ndodhi në Kosovë", ka deklaruar Pacolli.

Ndërkohë, këshilltar i tij, Zyberaj, kishte publikuar këto ditë në Facebook edhe emra të disa individëve nga Serbia të cilat, sipas tij, dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë. Ai kishte shkruar se këta individë kanë kryer kime dhe ecin të lirë në Serbi.

Publikimi i emrave, me etiketimet për fajësi, nuk ishte pëlqyer fare nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokurorja speciale e cila merret me hetimin e krimeve të luftës, Drita Hajdari ka thënë për mediat vendore se publikimi i emrave, të dhënave personale të personave që mund të jenë kryerës të krimeve të luftës, dëmtojnë hetimin si dhe nuk lejojnë zbardhjen e këtyre krimeve.

Por, gjatë vitit 2019, Ministria e Drejtësisë kishte proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku është paraparë edhe dispozita për gjykimin dhe dënimin në mungesë.

Gjykimet në mungesë u kërkuan nga institucionet e Kosovës për faktin se shumë persona nga Serbia, të cilët organet e ndjekjes penale në Kosovë i shohin si përgjegjës për krime lufte gjatë periudhës 1998-99, nuk jetojnë në Kosovë, por në Serbi.

Sjellja e tyre para drejtësisë në Kosovë, konsiderohet gati e pamundshme, pasi që Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, andaj rrjedhimisht edhe nuk mund të ketë një marrëveshje ekstradimi.

Në lidhje me krimet e luftës, instanca më e lartë për gjykimin e krimeve të luftës në ish-territorin e Jugoslavisë (që përfshinte Kroacinë, Bonje e Hercegovinën dhe më vonë Kosovën) ka qenë Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte me Seli në Hagë.

Kurse rastet tjera që nuk janë trajtuar nga ky Tribunal, janë trajtuar nga gjykatat e vendeve veç e veç, ndonëse organizatat joqeveritare që kanë monitoruar gjykimet për këto krime, në vazhdimësi kanë deklaruar se numri më i madh i rasteve ka mbetur pa fjalën e fundit të drejtësisë.

Tribunali i Hagës gjatë punës që ka zgjatur rreth dy dekada e gjysmë, ka ngritur 161 aktpadi, ka shqiptuar 90 dënime dhe 15 dhënie pafajësie.

Në një hulumtim të publikuar e Fondit për të Drejtën Humanitare të titulluar “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – Operacioni i Fshehjes së Trupave” është thënë se zyrtarët më të lartë të qeverisë, më saktë Ministrisë së Brendshme të asaj kohe në Serbi dhe departamentet e ushtrisë së ish-Jugosllavisë kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë e pohojnë se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë prej marsit të vitit 1999 në nivelet më të larta të qeverisë, dhe lë të kupton se pjesëtarë të ‘MUP-it’ serb (Departamenteve të Sigurimit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike) dhe departamenteve të Ushtrisë Jugosllave që kanë qenë në krye të ‘pastrimit të terrenit’, kanë qenë të përfshirë në të”, është thënë në kuadër të përmbledhjes së dokumentit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG