Ndërlidhjet

"Loja" me numra për dallimet në paga midis grave dhe burrave


Foto nga arkivi - Marshi për barazi gjinore

Tringa Arifi, rreth 24 vjeç nga Prishtina është e papunë. Ajo është në përfundim të studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Tringa thotë se me gjithë faktin se studimet nuk i ka pasur të përfunduara, për një vit e gjysmë ka punuar në profesionin e saj, në sektorin privat. Megjithatë, thotë se e kanë larguar nga ai vend pune, pa ndonjë arsye.

“Unë kam dëshirë të punësohen në profesionin tim, mirëpo shpesh në këtë drejtim penalizohem. Nganjëherë mendoj se nuk pranohem për shkak se jam grua”, thotë ajo.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, shkalla e punësimit sipas gjinive është 14.1 për qind te femrat dhe 49 për qind te meshkujt.

Ndërsa papunësia është shumë më e lartë te gjinia femërore, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gratë, ndonëse në përqindje më pak të punësuara, paguhen më mirë sesa burrat.

Në anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të këtij viti, publikuar të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thuhet se “pagat neto të shumicës së punonjësve janë midis 400 deri 500 euro në muaj dhe janë vërejtur dallime gjinore me 5.4 për qind paga më e lartë te femrat sesa te meshkujt”.

Lidhur më këtë përqindje, Bujar Hajrizi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, thotë se “kjo mesatare përfshinë të gjithë punonjësit (ato ose ata të cilët janë të punësuar te një punëdhënës) pa marrë parasysh te cili sektor - privat apo publik dhe llogaritet në numrin total të të punësuarve femra dhe meshkuj”.

Por, nisur nga fakti se punësimi i grave është shumë më i ulët, nga përfaqësuesit e shoqërisë civile ngrihen dyshime te të dhënat e ASK-së se gratë paguhen më shumë se burrat.

Një hulumtim i Rrjetit i Gupeve të Grave të Kosovës, të publikuar nga mesi i këtij viti, ka konstatuar se në Kosovë, në fakt burrat kanë mesatarisht pagë më të lartë sesa gratë.

Adelina Tërshani, nga ky Rrjet, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të dhënat e raportit tregojnë se në këtë kuadër ka diskriminim mbi baza gjinore kundër grave.

“Në Kosovë burrat kanë mesatarisht pagë më të lartë se sa gratë. Përqindja e burrave që kanë pagën mbi 500 euro është më e lartë krahasuar me përqindjen e grave që kanë pagën mbi 500 euro. Ndërsa kemi përqindjen më të lartë të grave që e kanë pagën më pak se 300 euro”, tha Tërshani.

Edhe Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se hendeku i pagave gjinore ekziston sidomos në sektorin privat. Kurse në sektorin publik, sipas saj, në shumicën e rasteve burrat marrin paga më të mëdha, pasi ata zakonisht janë në pozita më të larta.

“Nëse marrin sektorin privat, konkretisht sektorin e bankave, që janë të rregulluara në bazë të Ligjit të Punës, një menaxher me një menaxhere, kanë dallim në paga. Disa hulumtime të realizuara tregojnë se për disa profesione të burrave pagat janë më të larta. Përveç menaxherëve, është edhe profesioni i inxhinierisë, teknologjisë informative e të tjera. Kurse në sektorin publik, koeficienti për pagat e burrave është më i lartë për shkak se në shumicën e rasteve ata zgjidhen për avancime profesionale”, tha Demolli.

Ndryshe një një raport të Agjencisë Federale Amerikane, MCC (Millennium Challenge Corporation), të publikuar në vitin 2017, thuhet se paga mesatare në Kosovë ishte 340 euro në muaj. Burrat, sipas këtij raporti, kanë fituar 64 euro më shumë në muaj, apo 20 për qind më shumë sesa gratë.

Edhe në një raport të Bankës Botërore thuhet se “femrat marrin paga më të ulëta, mesatarisht, në secilin nivel të arsimit dhe në secilën industri. Vlerësimet e regresioneve nxjerrin në pah se kur të llogariten dallimet në arsim dhe ato regjionale, ekziston një boshllëk në paga prej 11 për qind mes meshkujve dhe femrave”, thuhet në raport.

Këto shifra, sipas organizatave joqeveritare, janë shqetësuese, pasi sipas dispozitave ligjore në Ligjin e Punës dhe në Ligjin për Barazi Gjinore në Kosovë, punëdhënësit duhet të sigurojnë pagesë të barabartë për punë të barabartë pavarësisht gjinisë së punëtori.

Së fundi, është publikuar edhe një raport i ri i Forumit Ekonomik Botëror, ku Kosova nuk është pjesë e tij, por marrë parasysh gjendjen globale, aty thuhet se do të duhen edhe 99.5 vjet që gratë të jenë në pozitë të barabartë me burrat.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG