Ndërlidhjet

Gëzim dhe frikë nga mbyllja e shkollave në Kamenicë


Mbyllje e shkollave në emër të cilësisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Gëzim dhe frikë nga mbyllja e shkollave në Kamenicë

Që nga shtatori i këtij viti, vëllezërit Demolli, Kaoni 8 vjeç dhe Froni 10 vjeç nga fshati Krilevë i komunës së Kamenicës udhëtojnë rreth 20 kilometra për të shkuar në shkollën e tyre të re “Dëshmorët e kombit” në Kamenicë.

Kjo është një reformë e Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollave, të cilat kanë më pak se 20 nxënës në një klasë.

Babai i tyre, Premtoni, thotë se e ka përkrahur reformën e komunës, pasi që, sipas tij, ai ka vërejtur ndryshim të madh për të mirë te fëmijët e tij në lëndë të ndryshme.

Komuna e Kamenicës ka siguruar transportin e nxënësve për në shkollat tjera.
Komuna e Kamenicës ka siguruar transportin e nxënësve për në shkollat tjera.

“Idenë e kam përkrahur, këtë reformën, sepse këtu kemi mbetur pa nxënës, cilësia e mësimit ishte e dobët shkaku i moskonkurrencës dhe me katër ose tre nxënës nuk besoj që ka cilësi të arsimit. Njeriu mundohet për fëmijët dhe unë kam dashur që t’i dërgoj aty ku është më mirë dhe mendoj që puna më e mirë në Kamenicë që është bërë pas luftës, është kjo. Fëmijët kanë ecur me gjuhën angleze, me art, gjëra që këtu nuk i kanë prekur (mësuar)”, thotë Demolli.

Premtoni thotë se fëmijëve të tij u është dashur të ecin në këmbë rreth 1 kilometër e gjysmë për të arritur në shkollën e mëparshme, e për këtë ai thotë se nuk ndihej i sigurt.

Klasa me tre nxënës

Shkolla e fshatit, në të cilën shkonin të dy vëllezërit Demolli, zyrtarisht është e mbyllur, por mësuesi i kësaj shkolle Osman Ahmeti, i cili ligjëron lëndën e Teknologjisë, është njëri nga pak mësuesit që nuk i bindet vendimit të Komunës së Kamenicës.

Ai vazhdon mësimin me tre nxënës në klasë, ku njëri nga ta është në klasën e pestë, njëri në të gjashtën dhe i treti në të shtatën.

“Këtë vendim ne e kemi pritur me keqardhje, megjithëse fshatit i duhet të ketë kushte të mira, hapje të shkollave dhe ambulancave, e jo mbyllje të shkollave”, thotë Osmani.

Mësuesi Osman Ahmeti me vetëm tre nxënës në klasë.
Mësuesi Osman Ahmeti me vetëm tre nxënës në klasë.

Osmani thotë se në klasën e tij janë tre nxënës, të cilët mësojnë me tekste shkollore të vjetra, pasi që komuna nuk u ka dhënë as tekste, e as ditarë, për mbajtje të mësimit.

“Sa i përket teksteve dhe ditarëve, nuk na i kanë sjellë fare. Qysh nga shtatori jemi me këto (skripta) në vend të ditarit, këto skripta i kemi fotokopjuar nga ditari i vitit të kaluar dhe me tekste të vjetra punojmë, ashtu çka kemi mundësi. Tekstet po shkojnë në Kamenicë, i ka mbuluar pluhuri dhe nuk duan të na i dorëzojnë tekstet gjoja se ne nuk po shkojmë në Kamenicë. Ku të shkojmë në Kamenicë dhe ta braktisim fshatin?”, thotë Osmani.

Kastrati: Vendimi është në favor të fëmijëve


Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, thotë se këtë vendim e kanë marrë pasi që në raportin e fundit që kjo komunë ka pranuar, shihet rënie drastike e numrit të nxënësve nëpër shkolla të fshatrave të Kamenicës.

Ai është akuzuar edhe nga partitë opozitare në këtë komunë, disa prindër dhe mësues se mbyllja e shkollave ka qenë e panevojshme dhe e ngutshme.

“Kemi punuar për 1 vit, kemi diskutuar me të gjithë, e kemi kuptuar që në më shumë se gjysmën e shkollave në komunën e Kamenicës, veç në vitin e parë janë më pak se pesë nxënës për klasë. Rrjedhimisht, ne i kemi disa shkolla ku është numri shumë i vogël i nxënësve".

"Kur e kemi shikuar gjatë viteve, rënia e numrit të nxënësve është 44 për qind dhe aktualisht, në Kosovë, ligjërisht e kemi obligim ku një mësimdhënës duhet të jetë për 20 nxënës në klasë, ndërsa ne e kemi raportin që (në Kamenicë është) 1 mësimdhënës me 6 (nxënës). Ne nuk jemi duke bërë diçka të jashtëzakonshme, jemi duke bërë atë që e kemi obligim të jenë 20 nxënës për klasë, jo më shumë”, thotë Kastrati.

Klasë në një nga shkollat e mbyllura në një fshat në komunën e Kamenicës.
Klasë në një nga shkollat e mbyllura në një fshat në komunën e Kamenicës.

Kryetari Kastrati thotë se komuna ka hasur në sfida të ndryshme pas marrjes së këtij vendimi, kështu duke u kundërshtuar nga disa mësimdhënës e prindër, por që, sipas tij, edhe për këtë problem atyre u është ofruar zgjidhje.

“E kemi bërë një zgjidhje, do të thotë, shumë në favor të tyre sa që kemi arritur në përfundim që asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë. Do të thotë, asnjë mësimdhënës. Gjatë ri-sistemimit do të ketë prej tyre që mund të konsiderohen edhe si tepricë teknologjike, por për të cilët ne kemi ofruar pagë deri në 10 vjet nëse komuna nuk e angazhon diçka tjetër”, shprehet kryetari Kastrati.

Kastrati thotë se komuna është duke paguar transportin e fëmijëve, të cilët kanë mbetur pa shkollë në fshatrat e tyre.



Qehaja: Qeveria duhet të marrë vendim, jo komunat


Komuna e Kamenicës është e para që ka marrë vendimin për t’i mbyllur disa shkolla që kanë pak fëmijë. Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti për Studime të Arsimit “EdGuard”, ka thënë se ky vendim ishte i ngutshëm për shkak të mospërfshirjes së Ministrisë së Arsimit (MASHT) dhe këshillave të prindërve dhe mësimdhënësve.

“Ne e kemi kundërshtuar iniciativën e Komunës së Kamenicës për mbyllje të shkollave, jo si të padukur, por për shkak që është e ngutshme dhe e panevojshme për t’u zbatuar nga një institucion lokal. Ne vlerësojmë që për iniciativa të tilla për probleme që prekin edhe komuna të tjera dhe që shkon përtej nivelit lokal, është e domosdoshme që të përfshihet në veçanti institucioni i MASHT-it. Pra, si politikë- bërës dhe institucion, i cili do të mund të korrigjonte problemin në fjalë”, vlerëson Qehaja.

Në Komunën e Kamenicës, janë mbyllur 5 shkolla dhe planifikohet që të mbyllen edhe 14 të tjera.

XS
SM
MD
LG