Ndërlidhjet

Një vit i rëndë për arsimin


Foto nga arkivi

Viti shkollor 2018/2019 në Kosovë është përmbyllur me probleme të shumta dhe përplasje ndërmjet mësimdhënësve, Sindikatës së Arsimit dhe institucioneve arsimore në Kosovë. Ekspertë të çështjeve të arsimit thonë se kjo situatë e krijuar në këtë vit shkollor, pati efekte negative.

Revolta e mësimdhënësve nisi në janarin e këtij viti, kur ata përmes grevave kërkuan që koeficienti i pagës të rritet në një nivel "dinjitoz", ndërkohë që krerët e shtetit i kishin dyfishuar pagat e tyre pavarësisht obligimeve parazgjedhore që kishin marrë në raport me mësimdhënësit.

Orët e humbura nga greva prej tri javësh e mësimdhënësve, nuk u kompensuan asnjëherë, edhe pas kërkesës së vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që këto orë të zëvendësohen.

Ndërkohë, mësimdhënësve me Ligjin e ri për paga, i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës, iu realizua kërkesa për ngritje të koeficientit të pagës për rreth 30 për qind.

Dukagjin Pupovci, drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se një situatë e tillë çfarë u krijua në këtë vit shkollor, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

“Ishte e mirë që mësimdhënësit ngritën koeficientin, por këtu filloi edhe një episod, i cili vështirë të kuptohet, pasi që edhe përkundër faktit që SBASHK-u shënoi fitore në këtë betejë sindikale dhe pritej të zëvendësoheshin orët, ata nuk i zëvendësuan edhe përkundër asaj që ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata”.

“Ky refuzim i kësaj natyre është si pasojë e raporteve të çrregulluara brenda koalicionit qeverisës ku secili partner e bën një politikë të veten dhe tenton në një mënyrë ta dobësojë tjetrin, se sa si rezultat i vullnetit të mësimdhënësve të kryejnë obligimin e vet dhe viktima kryesore e kësaj loje politike janë fëmijët, të cilët i humbën 15 ditë mësimi dhe morën një mesazh të keq se në shtetin e Kosovës nuk ke nevojë të zbatosh ligjin dhe mund të shtysh përpara duke e shkelur atë”, vlerëson Pupovci.

*Video nga arkivi: Grevë në institucionet arsimore

Grevë në institucionet arsimore
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:42 0:00

Cilësia edhe ashtu e dobët në sistemin arsimor në Kosovë, thekson Pupovci, u thellua edhe më shumë. Sipas tij, plan-programet nuk arritën të përmbushen gjatë këtij viti shkollor dhe nxënësit nuk arritën të marrin mësimin e duhur

“Humbja e 15 ditëve të punës nuk është pak, kësaj i shtohet edhe elementi i cilësisë me të cilën realizohen orët e mësimit, e që natyrisht lë shumë për të dëshiruar, po ashtu elementi i motivimit dhe serioziteti që aplikohet në procesin mësimor ku motivimi bie dhe serioziteti humb kuptimin nëse ndodhin gjëra të tilla çfarë kanë ndodhur në këtë vit shkollor. Kjo lë gjurmë te rezultatet e mësim-nxënies që më tepër do të na tregojnë testet ndërkombëtare, në të cilat gjatë viteve në vijim do të hyjë Kosova”, thotë Pupovci.

*Video nga arkivi: Peticion për një arsim më cilësor në Kosovë

Peticion për një arsim më cilësor në Kosovë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe si rrjedhojë edhe me cilësi jo të kënaqshme.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjendjen në arsim e thekson të rëndë si asnjëherë më parë.

“Cilësia e arsimit në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më e ulët sesa që është tani. Institucionet e Kosovës po marrin vendime të paanalizuara dhe të pastudiuara dhe se këto vendime po reflektohen në uljen e cilësisë në arsim dhe jo në avancimin e saj”, vlerëson Hyseni.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës një ditë më parë është zhvilluar një seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në arsimin në Kosovë. Seanca ishte thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës kanë kritikuar institucionet arsimore për një gjendje të rëndë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, mungesës së organizimit të mirë dhe për shkak të ndërhyrjeve politike.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi thotë se kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, porse një gjendje e tillë e krijuar, nuk mund të përmirësohet brenda një viti.

“Se sa problematik është sistemi arsimor se cila është gjendja në arsim nuk është se e dimë sot. Ne e kemi ditur qysh ditën kur e kemi marrë ta udhëheqim këtë ministri, kemi qenë të vetëdijshëm që sistemi arsimor ka shumë probleme dhe kërkojnë adresim për t’i zgjedhur dhe se për këtë jemi duke u angazhuar”, ka thënë Bytyqi.

Për nivelin jo të kënaqshëm në arsim, Kosova ishte alarmuar qysh pas rezultateve të dala nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve i njohur me shkurtesën ‘PISA’ në vitin 2016.

Në këtë test, Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Nxënësit nga Kosova në këtë test patën treguar rezultate jashtëzakonisht të dobëta.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG