Ndërlidhjet

Zgjedhjet presidenciale kroate: Milanoviq dhe Grabar-Kitaroviq në raundin e dytë


Kolinda Grabar- Kitaroviq
Kolinda Grabar- Kitaroviq

Kandidati i qendrës së majtë, Zoran Milanoviq dhe kandidatja e qendrës së djathtë, Kolinda Grabar-Kitaroviq do të garojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, që do të mbahen më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Sipas rezultateve jozyrtare të përkohshme në mbi 99 përqind të vendvotimeve të procesuara, Milanoviq fitoi 29.54 për qind të votave, Grabar-Kitaroviq 26.67, dhe kandidati i krahut të djathtë, Miroslav Skoro, 24.44 për qind, duke u përjashtuar nga gara.

Kandidatët e tjerë kishin nën 10 përqind dhe disa nën 1 përqind të mbështetjes.

"Ne po shkojmë në raundin e dytë. Por ne nuk do të luftojmë, luftërat kanë mbaruar. Unë kam thënë që nga fillimi, ne po shkojmë në një ndeshje të civilizuar. Në dy javët e ardhshme, unë do të luftoj për të bindur qytetarët se interesi kroat është të qenit një komunitet i mirë dhe solidar, për të qenë një vend i barabartë", tha ai.

Ndërkaq presidentja aktuale e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq në fjalimin e saj tha se “tani, ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të shkojmë drejt fitores".

Sikurse Milanoviq, ajo mbrojti ndaljen e ndarjeve ideologjike.

"Shoqëria jonë është e ndarë ideologjike. Ne kemi nevojë për një luftë për paga më të larta. Ne duhet të japim mundësinë për një Kroaci të zgjuar. Kemi nevojë për optimizëm dhe besim. Ne e dimë se mund të bëjmë më mirë", tha ajo.

Në zgjedhjet presidenciale në Kroaci, nëse njëri prej kandidatëve merr 50 për qind plus një votë të të gjithë votuesve që dalin në raundin e parë, ai ose ajo bëhet president.

Nëse askush nuk ka fituar më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të votave, të dy kandidatët me numrin më të madh të votave në raundin e parë do të hyjnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti kroat zgjidhet për një mandat pesë vjeçar.

Në Kroaci është sistemi parlamentar dhe presidenti ka autorizime shumë të kufizuara.

Sistemi parlamentar hyri në fuqi përmes ndryshimeve në Kushtetutë në vjeshtën e vitit 2000, kur u shfuqizua sistemi gjysëm-presidencial.

XS
SM
MD
LG