Ndërlidhjet

Metodologjia e re e BE-së nga perspektiva integruese e Maqedonisë së V.


Shkup - Foto nga arkivi
Shkup - Foto nga arkivi

Metodologjia e re për zgjerimin e Bashkimit Evropian tani numëron shtatë faza që shtetet kandidate duhet t’i plotësojnë për t'u bërë pjesë e familjes evropiane kundrejt 35 kapitujve që janë aktualisht.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut, thonë se autoritetet e vendit duhet të fokusohen në realizimin me përpikmëri që do të dalë nga metodologjia e re e cila duhet të bëhet publike në fund të këtij muaji e që në fokus, siç thonë, pritet të jetë sundimi i drejtësisë.

“Për ne me shumë rëndësi është që të shohim se cili do të jetë kompromisi mes Francës si propozuese e metodologjisë së re dhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, dhe nëse Maqedonia e Veriut do të marrë sinjale pozitive që vendi të marrë datën për fillimin e bisedimeve në mars, ashtu siç janë skenarët më optimiste si parashikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Simonisa Kacarska, drejtore e Institutit për Politikë Evropiane.

Gjatë vizitës në Shkup Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, qartë ka porositur autoritetet e vendit se miratimi i Ligjit të ri për Prokurori Publike mbetet prioritet i lartë për Maqedoninë e Veriut edhe atë para shpërbërjes së parlamentit për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur Komisioni Evropian do të publikojë një mini-raport për përparimin e reformave në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, në bazë të së cilit pritet të vendoset data e fillimit të negociatave nga vendet anëtare të BE-së.

Përderisa, Jeton Shasivari, ekspert për çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut si shtet nuk duhet të pret shumë nga vendosja e kornizës kohore sa i përket aspiratave të saj në përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.

“Për sa i përket nismës kroate, natyrisht se kjo është për t'u mirëpritur megjithatë nuk duhet të ketë pritshmëri të mëdha pasi do jetë një sukses i madh nëse eventualisht merret një vendim në Samitin e Zagrebit për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë".

"Kjo është kështu ngase presidenca kroate gjatë periudhës së ardhshme do të ballafaqohet me tema shumë komplekse evropiane siç janë ndryshimet klimatike, kufijtë e BE-së, negociatat me Britaninë e Madhe, çështjet e ndryshme financiare të BE-së, dhe çështje të tjera”, thotë Shasivari.

Ai në këtë drejtim kujton se në aspektin historik, çdo zgjerim i Bashkimit Evropian është pasuar nga kritere shtesë që ka nënkuptuar një proces më kompleks sesa procesi i mëparëshëm, në këtë drejtim Maqedonia e Veriut thekson Jeton Shasivari, mund të përfitojë nga rregullat e reja që përcaktohen nga Brukseli duke ecur me hapa të kontrolluara, por gjithsesi shumë më të sigurta.

“Konsideroj se metodologjia e re nuk parashikon ndonjë ndryshim thelbësor dhe përmbajtësor në kornizën e bisedimeve megjithatë mund të jetë në favorin e Maqedonisë së Veriut nëse përdoret në mënyrë racionale për të përparuar gradualisht duke vlerësuar arritjet e vendit çdo detaj për çdo fazë të negociatave.

Sfida qendrore për sa i përket Maqedonisë së Veriut, për sa i përket metodologjisë së re nga njëra anë, do të jetë ruajtja e entuziazmit dhe motivimit për të realizuar reformat e nevojshme në kuptimin që këto reforma bëhen në të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë dhe jo se ato kërkohen nga BE-ja, kurse nga ana tjetër sfidë do të jetë mungesa e garancisë se zgjerimi në të ardhmen do të vlerësohet sipas meritave individuale të secilit shtet veç e veç, dhe që nuk do të ketë bllokime në të ardhmen”, thotë Jeton Shasivari, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Përderisa Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, nënvizon se përmes metodologjisë e re insistohet që qytetarët t'i ndjejnë rezultatet e reformave para se vendi të bëhet anëtar i plotfuqishëm i Bashkimit Evropian.

“Qytetarët duhet t'i ndjejnë rezultatet e realizimit të reformave. Reformat duhet të të jenë të zbatueshme dhe jo vetëm të figurojnë në letër. Interesi i Maqedonisë së Veriut është të përfshihet sa më shumë në realizmin e kërkesave që do të përcaktojë Brukseli në bazë të metodologjisë së re për zgjerimin e BE-së”, thotë Kacarska.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare si shumë problematike e shohin mungesën e një konsensusi nacional në raport me procesin e integrimeve i cili, siç thonë, duhet të përfshihet në një plan konkret kombëtar duke krijuar një bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit dhe opozitës, përfshi këtu dhe sektorin civil për të shtyrë bashkërisht procesin e integrimeve pa taktizuar, siç thuhet, për interesa të ngushta partiake gjatë miratimit dhe jetësimit praktik të ligjeve që janë pjesë e proceseve integruese.

XS
SM
MD
LG