Ndërlidhjet

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada


Thaçi: Marrëveshja për hekurudhat, mesazh për paqe
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Thaçi: Marrëveshja për hekurudhat, mesazh për paqe

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar të premten, në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak çaste para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Marrëveshja për hekurudha dhe autostrada, u arritë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe ambasadori Richard Grenell.

Për palën kosovare letrat e interesit, përkatësisht marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Grenell, Thaçi e Vuçiq i cilësojnë historike marrëveshjet

Ambasadori Grenell tha se pas negociatave dhe marrëveshjes për linjën ajrore, tani u arrit të negociohet edhe çështja e transportit hekurudhor dhe rrugor.

“Ajo që kemi bërë sot, është që kemi negociuar për të gjetur mënyrën që të hapim linjën hekurudhore dhe autostradat. Ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit – dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera”, tha Grenell.

“Tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori amerikan. Sipas tij, edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, ishin pajtuar se fokusi i bisedimeve duhet të jetë në çështjet e zhvillimit ekonomik.

Ai tha se kur e kishte marrë misionin nga Presidenti Donald Trump për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, ishte frymëzuar pikërisht nga zhvillimi i fuqishëm ekonomik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, andaj edhe në këtë aspekt ai e ka përqendruar agjendën e tij që përmes ekonomisë, hapjes së vendeve të punës dhe investimeve, të arrihen gjëra të mëdha në mes të dy vendeve, por edhe rajonit.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes rrjetit social Facebook ka shpërndarë lajmin për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo marrëveshje paraqet edhe një hap tjetër të arritjeve të Kosovës në planin e zhvillimit ekonomik. Ai ka falënderuar administratën e presidentit Trump për angazhimet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve.

“Ambasador Grenell, të falënderoj për punën e shkëlqyer për këtë marrëveshje. Është një hap tjetër i arritur i progresit pas marrëveshjes së linjave ajrore Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka ju duhet njerëzve tonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Thaçi.

“Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i të kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tonë”, theksoi presidenti i Kosovës.

Video: Thaçi pas takimit me ambasadorin Grenell

Thaçi ka shkruar edhe ne Twitter ku ka falënderuar Shtetet e Bashkuara dhe ambasadorin Grenell për marrëveshjet.

“Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror kurse sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat. Faleminderit për vendosmërinë. Një hap i shkëlqyeshëm drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare paqeje midis dy vendeve “, ka shkruar Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet nuk ishin të lehta, por në fund, theksoi ai, u arritën marrëveshje të rëndësishme.
Edhe Vuçiq, falënderoi presidentin Trump dhe të dërguarin e tij Grenell që po tregojnë interes të madh për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ajo që është nënshkruar është domethënëse për shkak të lirisë së lëvizjes, lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”, tha Vuçiq, duke besuar se marrëveshja do të jetë një lehtësim për serbët që jetojnë në Kosovë, sidomos ata në pjesët qendrore e lindore të Kosovës.

Kurti i painformuar për marrëveshjet, Haradinaj i duartroket Grenell-it

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zyrtarët kanë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë në Mynih të Gjermanisë, atë për transportin hekurudhor dhe autostrata kanë qenë të autorizuar nga ish ministri i Infrastrukturës në qeverinë e kaluar, Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë së re.

“Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re, as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkohë, marrëveshjet për hekurudha e autostrada i ka përshëndetur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në Twitter ai i ka duartrokitur ambasadorit Grenell për vizion dhe udhëheqje në lehtësimin e normalizimit të transportit hekurudhor e rrugor mes Kosovës dhe Serbisë.

“Tani është e nevojshme finalja e madhe – njohja e ndërsjellë”, ka shkruar Haradinaj.

Paraprakisht, po nën ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, të dy shtetet kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

Me anë të letrave të interesit, që paraqet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këto shtete shprehin gatishmërinë për hapjen e mundësive për ndërlidhjen rrugore e hekurudhore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të ndërlidhjes së këtij rajoni me Evropën.

Ambasadori Grenell, është zotuar se në misionin e tij ndërmjetësues, do të fokusohet që Prishtina dhe Beogradi t’i tejkalojnë çështjet e hapura nga fusha e ekonomisë, në mënyrë që të vazhdohet tutje drejt arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila sipas tij do të ishte e domosdoshme që Kosova dhe Serbia të krijojnë një ekonomi të qëndrueshme dhe joshëse për investimet nga jashtë.

XS
SM
MD
LG