Ndërlidhjet

Kosovë: Arrin në 112 numri i të infektuarve me koronavirus


Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, 2 prej të cilëve janë me vendbanim në Mitrovicën veriore, 1 me vendbanim në Vushtrri dhe 1 me vendbanim në Malishevë”, ka thënë Instituti.

Ndërkohë, sipas njoftimit, pesë raste tjera që kanë qenë me koronavirus janë shëruar.

“Pas përsëritjes së dytë të testimit, edhe pesë pacient konfirmohen zyrtarisht të shëruar nga COVID-19", thuhet në njoftim.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë, që nga shpërthimi i pandemisë ka arritur në gjashtë.

Menjëherë pas njoftimit për shërimin e pacientëve me koronavirus, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përgëzoi stafin mjekësor për punën që po bën, përderisa qytetarëve u bëri të qëndrojnë në shtëpi.

“Më gëzoi shumë shërimi i plotë i pesë të infektuarve me virusin COVID-19. Mbetem me shpresë e besim, që së shpejti do të shërohen edhe të tjerët. E përgëzoj stafin mjekësor për punën e mirë që po bën. Qytetarët duhet të vazhdojnë të rrinë në shtëpi dhe të kujdesen për veten dhe më të dashurit e tyre”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.

Deri më 31 mars në Kosovë është shënuar vetëm një vdekje nga koronavirusi.

Për lajmet e reja rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG