Ndërlidhjet

Kryesia e LDK-së propozon Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës


Avdullah Hoti, foto nga arkivi
Avdullah Hoti, foto nga arkivi

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Vendimi tani pritet të merret nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Hoti, ka qenë zëvendëskryeministër i parë në qeverinë tashmë në detyrë të Kosovës.

Në momentin që edhe Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ta konfirmojë nominimin e Hotit, atëherë çështja do t’i kalohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i jap mandatin për formimin e qeverisë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se ishte qëndrim i LDK-së që ai vet të jetë kandidati për kryeministër, por siç tha Mustafa, për arsye shëndetësore nuk ka mundur ta pranojë këtë nominim.

“Jemi pajtuar të gjithë që Avdullah Hoti të propozohet nga Kryesia e LDK-së për kryeministër në qeverinë të cilën se bashku me subjektet tjera partnere do t’ia prezantojmë Kuvendit në momentin që unë e marrë konfirmimin definitiv nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”, tha Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.

Formimi i qeverisë kalon përmes procedurës së votimit në Kuvendin e Kosovës, me të paktën 61 vota për. Qeveria e re, sipas formulës së LDK-së do të ndërtohet mbi bazën e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.

Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e ka miratuar edhe zyrtarisht koalicionin e mundshëm me LDK-në.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj më pas ka zhvilluar një takim me liderin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatin për kryeministër, Avdullah Hoti. Pas takimit, Haradinaj tha se e gjithë procedura e konsultimeve mes partive që pritet të jenë në koalicion mund të zgjasë disa ditë.

Ai tha se prioritet i qeverisë së re do të jetë lufta ndaj pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbja ekonomike.

Nisja e procedurës për qeverinë e re, pason votimin në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale të Kosovës më 25 mars, e cila që atëherë po funksionin si qeveri në detyrë.

Takimi i presidentit Thaçi me përfaqësuesit e partive politike, 22.04.2020
Takimi i presidentit Thaçi me përfaqësuesit e partive politike, 22.04.2020

LDK ka marrë nismën për formimin e qeverisë duke u bazuar në takimin e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, ku përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila ishte në favor të shpalljes së zgjedhjeve pas pandemisë së koronavirusit, subjektet tjera u deklaruan për formimin e qeverisë së re.

Pasi që kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për propozimin e mandatarit për qeverinë e re, presidenti Thaçi i është drejtuar LDK-së e cila kishte shprehur interesimin për formimin e qeverisë.

Presidenti Thaçi ka deklaruar të mërkurën, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike se do t’ia jap mandatin për formimin e qeverisë asaj partie politike që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend.

“Pas mos-dërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër pesë kërkesave nga ana e Presidentit të vendit, si dhe në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së, Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar zyra e presidentit.

Thaçi diskutoi të enjten me ambasadorët e Kuintit për hapat e ndërmarrë për krijimin e qeverisë së re.

Në këtë takim ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë, ambasadorja e Francës, ambasadori i Italisë dhe Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Zyra e Presidentit Thaçi.

Kurse në një deklaratë e përbashkët nga ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së thuhet se ambasadorët "dëshirojnë të njoftojnë se ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet".

"Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike", theksohet në deklaratë.

Ambasadorët dhe Përfaqësuesja e BE-së janë pritur gjatë ditës edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas një komunikate për media Kurti ka theksuar se veprimet e fundit të presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar.

"Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë", citohet të ketë thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për aktgjykim, sapo që presidenti Hashim Thaçi, të mandaton një kandidat për kryeministër, pa partinë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Duke anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, Kurti tha se presidenti po shkel rendin kushtetues, kështu që lënda do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Duke u munduar të na rrëzojë ne, ai po e rrëzon vetveten”, tha Kurti, duke iu referuar veprimeve të presidentit Thaçi.

Kurti, ka përsëritur edhe të enjten se veprimet e tij ai do t’i ndërmerr posa t’i sheh vendimet në letër në lidhje me procesin tashmë të nisur për formimin e qeverisë.

“Me tejkalimin e presidentit, i cili po synon të formojë vullnet politik, që nuk është në mandatin e tij, në varësi nga Lista Serbe dhe nga PAN-i (PDK, AAK, Nisma)”, tha Kurti.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e formimit të qeverisë së re duke thënë se presidenti Thaçi ka ndërmarrë veprim jokushtetues, duke nënvizuar se “të drejtat kushtetuese nuk mund të nënkuptohen se janë braktisur nga titullari dhe nuk mund të paragjykohet veprimi i titullarit, në këtë rast fituesit të zgjedhjeve sepse është jokushtetuese”.

"Me këto veprime presidenti ka bërë dirigjimin e formësimit të vullnetit politik dhe po synon komandimin e atij vullneti politik në mënyrë jo të rregullt dhe jokushtetuese", ka thënë Hasani.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, 2019, në të cilat fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës pati votuar formimin e qeverisë së koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 3 shkurt, me kryeministrin, Albin Kurti.

Por, partitë partnere, nuk arritën të funksionojnë bashkë si koalicion as dy muaj të plotë. Kështu që më 25 mars, me nismën e LDK-së dhe mbështetjen e opozitës, Kuvendi kishte votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, e cila që nga ajo kohë është qeveri me funksione të kufizuara, pasi që është vetëm një qeveri në detyrë.

XS
SM
MD
LG