Ndërlidhjet

Thaçi: Dialogu Kosovë - Serbi duhet të vazhdojë


Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka rikonfirmuar se Kosova është për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy shteteve.

Këtë komente presidenti Thaçi i bëri gjatë një konference për media ku bëri të njohura çështjet të cilat u ngritën një ditë më parë në takimin e Samitit të Zagrebit, i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit, u zhvillua në mënyrë virtuale dhe jo në kryeqytetin kroat.

“Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Dialogu Kosovë – Serbi duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane dhe të pavarura, këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush”, tha Thaçi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, pasi qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe, mirëpo e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, gjë që ka ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kërkuar shfuqizimin pa kushte të tarifës. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur heqjen e tarifës dhe nuk e ka komentuar vendosjen e masës së reciprocitetit.

Në aspektin e liberalizimit të vizave, presidenti Thaçi tha se ju ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së, se duhet të lëvizin më shpejt në këtë çështje.

Sipas tij, Kosova padrejtësisht po mbahet e izoluar, dhe ky theksoi Thaçi, është një ndëshkim i padrejtë ndaj qytetarëve dhe Kosovës.

“Kosova si shteti me pro-evropian në rajon meriton trajtimin me të shpejt më të përgjegjshëm dhe më vendimmarrës nga ana e BE në veçanti sa i përket nevojës dhe meritës së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, pra vendimin e menjëhershëm për liberalizimin e vizave për Kosovën, sepse kjo vonesë vetëm sa po zbeh autoritetin dhe besimin kosovar në raport më vendimmarrjen në Bruksel”, tha mes tjerash ai.

Presidenti i Kosovës, po ashtu tha se u ka bërë thirrje pesë vendeve të bllokut evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin shtetësinë e saj.

XS
SM
MD
LG