Ndërlidhjet

Kurti: Linja ajrore Kosovë-Serbi ishte shprehje e interesit dhe jo marrëveshje


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dokumenti për linjën ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është marrëveshje, por shprehje e interesit.

Sipas tij për t’u bërë marrëveshje, duhet të kalojë edhe nëpër shumë hapa të tjerë, por që për shkak të pandemisë, edhe kjo çështje si shumë të tjera “është ngrirë”.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite në Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës.

“Ne e dimë versionin final të asaj marrëveshjeje, që mua më është prezantuar me vonesë. Pra, atëherë kur negocimi dhe draftimi i saj kishin përfunduar. Mund të them që ne jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, mirëpo ky bashkëpunim rajonal duhet të ketë parasysh dy gjëra themelore: e para është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në Republikën e Kosovës, dhe e dyta është rentabiliteti ekonomik. Ajo nuk është në kuptimin e plotë të fjalës një marrëveshje, më shumë është një shprehje e interesit, e cila duhet të kalojë edhe në shumë hapa të tjerë për t’u bërë marrëveshje”, ka thënë Kurti.

Më 12 maj, Qeveria në detyrë e Kosovës e ka shkarkuar Eset Berishën nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Ai ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Berlin që ka nënshkruar marrëveshjen për rivendosjen e një linje ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguar special i presidentit amerikan Donald Trump për negociata mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore dhe asaj për hekurudhat, Qeveria, tashmë në detyrë, e drejtuar nga Albin Kurti kishte deklaruar se zyrtarët që morën pjesë në arritjen e marrëveshjeve në Berlin nuk kishin marrë autorizim as për të negociuar e as për të nënshkruar një marrëveshje të tillë.

XS
SM
MD
LG