Ndërlidhjet

Kryeministri Hoti fton partitë në takim para vizitës në SHBA


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka ftuar në takim liderët e partive politike në Kosovë, përpara se të zhvillohet takimi me zyrtarët serbë, më 27 qershor në Uashington.

Këtë ftesë ai e ka bërë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit”, ka shkruar kryeministri Hoti.

Kreu i ekzekutivit edhe më herët i ka ftuar partitë opozitare në takim për të diskutuar për çështjen e dialogut me Serbinë, por të njëjtat kanë refuzuar një takim të tillë.

Të martën, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shpreson që ky takim mund të rrisë shpresat për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në po të njëjtën ditë se, temë e takimit nuk do të jetë pranimi i pavarësisë së Kosovës, por çështjet ekonomike.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel. Ai është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, por qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

XS
SM
MD
LG