Ndërlidhjet

Grenell paralajmëron takim të ri pas anulimit të udhëtimit të Hotit


I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se pret që takimi midis dy palëve të ricaktohet së shpejti.

Takimi i paraparë për datën 27 qershor në Uashington nuk dihet nëse do të mbahet, pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit e ka anuluar pjesëmarrjen në takim, e më pas edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka bërë një hap të tillë.

“Faleminderit kryeministër Hoti. E kuptoj vendimin tuaj dhe ne presim që ta ricaktojmë takimin së shpejti”, shkroi Grenell në një postim në Twitter.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë është parë si rinisje e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten në Bruksel se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe se Kosova, sipas tij, ka një maturi të duhur institucionale për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballet.

Ai gjatë udhëtimit në Bruksel, më 25 qershor, do të takojë liderët e dy institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit, ku ishte planifikuar të riniste dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit më 27 qershor.

“Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj se nuk duhen të komentohen, por besoj se duhen të respektohen plotësisht. Unë besoj se si Kosovë kemi tani një maturi insitucionale për t’u marrë dhe për të tejkaluar çfarëdo situate”, ka thënë ai.

I pyetur se pse nuk ka shkuar në Uashington, pasi e ka mandatin dhe platformën për dialog, dhe çfarë e shtyri të anulojë këtë vizitë, Hoti ka thënë se ka pasur konsultim me Grenellin, të cilit i ka propozuar shtyrjen e këtij takimi për një ditë tjetër, për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur një ditë më parë.

Kryeministri i Kosovës, në Bruksel, është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe me shefin e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David Mec Allister. Më vonë do të takohet edhe me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen dhe me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi.

Hoti ka thënë se në këto takime ka treguar përkushtimin e Kosovës dhe qeverisë së re për agjendën e integrimit evropian që ka Kosova.

Si çështje kryesore, ai ka thënë të ketë qenë ajo e liberalizimit të vizave.

“Kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe kemi si qeveri një fokus të fuqishëm në rend, ligj dhe në transparencë”, është cituar të ketë thënë ai.

Ai pret që Bashkimi Evropian të vlerësojë këto kritere dhe t’ua mundësojë shtetasve të Kosovës lëvizjen e lirë.

Vendimi i Hotit për të mos shkuar në Uashington, pason atë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e anuloi pjesëmarrjen në takimin e 27 qershorit.

Edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington.

“Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutimet, derisa të zgjidhen çështjet ligjore të këtyre pretendimeve”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter. Megjithatë ai tha më 24 qershor se mirëpret në Uashington, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Për çfarë akuzohen Thaçi, Veseli dhe të tjerët?

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t'i konfirmojë ato. Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.

Shefi i kabinetit të presidentit Thaçi dhe këshilltari i tij kryesor, Bekim Çollaku, tha se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet nga “lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”.

“Liria jonë është vulosur nga gjaku i luftëtarëve të lirisë, mijëra civilë të pafajshëm, të vrarë brutalisht, dhe dhimbja e mijëra grave të dhunuara. Kjo është historia jonë e dhimbshme, por krenare. Nuk mund të ndryshohet nga askush. Madje as nga lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”, tha Çollaku në një postim në Twitter, në reagimin e parë nga Presidenca e Kosovës.

BE-ja pret që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë në korrik

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se është e nevojshme të vazhdohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me kryeministrin Hoti në Bruksel.

"Gjatë takimit tonë, theksova nevojën urgjente për përparim në dialogun Beograd-Prishtinë. Emërimi i fundit i ambasadorit, Mirosllav Lajçak si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, ilustron fokusin e BE-së në këtë dialog, vazhdimi i të cilit është paraparë të ndodhë në muajin korrik në Bruksel", tha Michel në një deklaratë.

Mustafa: Dialogu të zhvillohet pasi të sigurohet funksionimi i institucioneve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se duhet të sigurohet funksionimi i të gjitha institucioneve shtetërore, para se të zhvillohet ndonjë takim me palën serbe.

Duke komentuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të mos udhëtuar në SHBA për t’u takuar me delegacionin e Serbisë, Mustafa tha se në Uashington “shkohet me përkrahjen e partive të koalicionit dhe opozitës”.

“Në LDK nuk ka konfuzion se a duhet të shkojë Kryeministri në Uashington apo jo. LDK beson fuqishëm në SHBA-të. Për ne Ëashington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan. Në Uashington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet ti prijë delegacionit”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

DASH: Ngritja e aktakuzës, një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre, ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh”, i tha Zërit të Amerikës, në kushte anonimiteti, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Kuvendi i Kosovës anulon vazhdimin e seancës për dialogun

Pas bërjes publike të aktakuzës, Kuvendi i Kosovës e ka anuluar të enjten vazhdimin e seancës së nisur me 23 qershor, në të cilën do të diskutohej për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Partia Demokratike e Kosovës kishte propozuar një rezolutë, mirëpo me kërkesë të grupit të saj parlamentar, Kryesia e Kuvendit ka vendosur të shtyjë vazhdimin e seancës.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara "të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

XS
SM
MD
LG