Ndërlidhjet

Publikohen rezultatet e mbi 90% të votave në Maqedoninë e Veriut


Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.

Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar 36.13% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 34.65%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI ka siguruar 11.57 për qind të votave kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa kanë marrë 8.79 për qind të votave. Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit 1.48% për qind.

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallet gjatë ditës së enjte.

Në bazë të këtyre rezultateve Zoran Zaev (LSDM) do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re.

Sipas Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja në votime deri në orën 20.30 ishte 50.86 për qind.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se zgjedhjet ishin të qeta.

“Pavarësisht se kush do të fitojë, pres që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor t'i urojnë njëri-tjetrit, siç i takon një vendi demokratik”, ka shkruar Pendarovski.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje.

Fushata zgjedhore u shënua nga premtimet ekonomike për paga dhe pensione më të larta, projekte të infrastrukturës si dhe mesazhe nacionaliste dhe lëshim pothuajse të përditshëm të regjistrimeve të paligjshme audio dhe video, në të cilat aktorët politikë dyshoheshin se ishin kapur në biseda të dyshimta për krim dhe korrupsion. Akuzat janë zhvilluar kryesisht mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje doli me idenë e një kryeministri të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndërsa opozita shqiptare me moton “Tash është koha për ndryshim”.

Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj. Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut.

XS
SM
MD
LG