Ndërlidhjet

Hoti: Të enjten në Bruksel hartohet drafti i marrëveshjes për personat e pagjetur


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në takimin që është planifikuar të mbahet të enjten ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, në Bruksel, do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ai ka theksuar se delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga koordinatori shtetëror për dialog me Serbinë, Skender Hyseni, të enjten do të jetë në Bruksel, për t’u takuar me palën serbe.

“Ai (Skënder Hyseni) flet në emër timin në tavolinën e dialogut. Ai e ka këtë kompetencë, të më përfaqësojë mua si kryeministër në procesin e dialogut. Ai nesër (të enjten) do të jetë në Bruksel, së bashku me (Ibrahim) Makollin, që merret me çështjen e të pagjeturve, për të bërë draftin e marrëveshjes finale për çështjen e të pagjeturve”, theksoi Hoti.

Hoti e bëri deklaratën në një konferencë për media, pas mbledhjes së qeverisë, në të cilën, siç ka thënë ai, e ka informuar kabinetin qeveritar për zhvillimet e deritashme në kuadër të dialogut.

Ai ka theksuar se në pajtim me miqtë ndërkombëtarë, Kosova ka hyrë në dialog për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë, e cila sipas tij, do të përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë takim u tha se u bisedua për të pagjeturit dhe çështjet ekonomike.

Pas takimit të dialogut në nivelin politik, BE-ja paralajmëroi se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë.

Ndryshe, drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humnitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e sheh nisjen e procesit të bisedimeve si shansin më të mirë për të përfshirë temën e të pagjeturve në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Kjo, sipas Blakajt, do të intensifikonte punën në mes të institucioneve të të dyja vendeve për të gjurmuar dhe hetuar rastet që ende nuk janë zgjidhur.

“Është e qartë se është e pamundur që të zbardhet fati i personave të zhdukur para një marrëveshje finale. Pra, krejt çka mbetet është që kjo temë të diskutohet në dialog dhe në marrëveshjen finale palët të zotohen që do të angazhohen maksimalisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, thotë Blakaj.

XS
SM
MD
LG