Ndërlidhjet

Mbi 100 viktima nga shpërthimi në Bejrut


Vendi ku ndodhi shpërthimi në Bejrut më 4 gusht.
Vendi ku ndodhi shpërthimi në Bejrut më 4 gusht.

Së paku 100 të vrarë dhe më shumë se 4.000 të plagosur është bilanci i shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht.

I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, i cili ndodhi në pjesën ku ndodhet porti.

Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani tha se numri i viktimave pritet të rritet.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se 2,750 ton kimikate bujqësore ishin ruajtur në mënyrë të pa sigurtë në një depo për gjashtë vjet.

Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën, duke thënë se duhet të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme dy-javore.

Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me "dënimin maksimal" të mundshëm.

Shpërthim i fuqishëm në Bejrut të Libanit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin. Vendi po përballet me një krizë ekonomike, pandeminë e koronavirusit dhe demostrata masive kundër varfërisë. Tensionet janë gjithashtu të larta pasi të premten, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Ai ishte vrarë më 2005.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.

XS
SM
MD
LG