Ndërlidhjet

Vuçiq: Ne do të marrim pjesë në bisedime


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e 2 shtatorit në Uashington.

"Serbia nuk është në një pozitë dhe nuk do të ishte mirë t’i refuzojë bisedimet. Ne do të marrim pjesë në bisedime dhe temat, me sa kam biseduar me Grenell, janë ekonomike. Këto janë tema të mira", tha Vuçiq në një intervistë për televizonin Pink të Serbisë.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se më 2 shtator ka thirrur në takim në Shtëpinë e Bardhë, liderët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk dha detaje se cilat do të jenë temat që do të bisedohen në të.

Presidenti Vuçiq po ashtu tha se nuk e di se pse Grenell në lajmërimin e tij ka përdorur fjalën “negociata” dhe jo “bisedime", dhe se kjo është një pyetje për të (për Grenellin). Ai shtoi se pozicioni i Serbisë është që të bisedohet me palën tjetër, edhe pse SHBA-ja, administrata e Brukselit zyrtar dhe një numër i madh i shteteve të BE-së, e shohin Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të pavarura.

Grenell paralajmëron takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e 2 shtatorit, tha se me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë do të takohen si dy shtete të pavarura.

Takimi i 2 shtatorit, takimi i dytë që është organizuar nga Grenell.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe.

XS
SM
MD
LG