Ndërlidhjet

KFOR-i dhe Policia e Kosovës kryejnë patrullim të përbashkët në Komunën e Kamenicës


Pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë patrullimit të përbashkët në Komunën e Kamenicës.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë patrullimit të përbashkët në Komunën e Kamenicës.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se më 14 gusht, ka kryer një patrullim të përbashkët me Policinë e Kosovës në Komunën e Kamenicës.

“Ky patrullim u krye në këmbë për të mundësuar angazhim me qytetarët vendas, në kuadër të një pranie të përbashkët të shtuar në zonë, për të cilën u ra dakord në dy ditët e kaluara në mes të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Gjatë ditëve në vijim janë paraparë më shumë patrullime të tilla.

“Si rezultat i një mekanizmi të forcuar të koordinimit javor të vendosur për të rritur praninë e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonë, në afërsi të vijës kufitare administrative’, thotë misioni i NATO-s.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar më 7 gusht se në Komunën e Kamenicës kanë zhvilluar një patrullë të sinkronizuar me Forcat e Armatosura serbe, "përgjatë vijës kufitare administrative, në afërsi të fshatit Hodonoc".

Zyrtarët e KFOR-it, po ashtu, kanë thënë se në mënyrë rutinore kryejnë patrullime të tilla përgjatë vijës kufitare që shtrihet rreth 350 kilometra, mirëpo kjo vijë nuk është e shënjuar dhe e përcaktuar mirë.

Zyrtarët qeveritarë në Kosovë e kanë interpretuar në disa mënyra këtë patrullim.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pati thënë se ngjarja e 7 gushtit nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por patrullim i përbashkët mes KFOR-it dhe Serbisë. Sipas saj, për këtë gjë askush nuk ka mandat e as autorizim.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka deklaruar më 8 gusht se gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralimajor Michele Risi, është njoftuar se hyrja e forcave të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët i këtyre forcave me pjesëtarët e KFOR-it.

Lexoni edhe këta artikuj:

Patrullimet ndër vite në mes të KFOR-it dhe forcave serbe

KFOR-i: Patrullimi me forcat serbe, i sinkronizuar​

KFOR mbetet i përkushtuar të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë të paanshme për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat e sigurisë dhe Komunitetin Ndërkombëtar, sipas mandatit të tij nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara te Këshillit të Sugrimit të vitit 1999.

XS
SM
MD
LG