Ndërlidhjet

Pasuria e “dyshimtë” e zyrtarëve shtetërorë


Ilustrim

Verifikimi i prejardhjes së pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, vazhdon të mbetet mision i pamundur, për shkak të mungesës së mekanizmave ligjor, pohojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Pamundësia e verifikimit të prejardhjes, sipas tyre, krijon dyshime se sa është reale dhe e ligjshme pasuria e deklaruar.

Zyrtarët shtetërorë janë të obliguar për çdo vit të deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, proces ky të cilën tashmë e kanë përfunduar rreth 98 për qind prej tyre, tregojnë udhëheqës të kësaj agjencie.

Në regjistrin e deklarimit të pasurisë në këtë agjenci, disa nga zyrtarët shtetëror kanë deklaruar vlera të mëdha të pasurive të luajtshme, të paluajtshme, si dhe para të gatshme në institucionet financiare, që në raste të caktuara shkon në miliona euro.

Havolli: Deklarimet nuk janë gjithmonë të sakta

Drejtori i kësaj agjencie, Shaip Havolli, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deklarimet e pasurisë të zyrtarëve shtetëror, jo gjithmonë janë të sakta. Por, agjencia, thotë Havolli, nuk ka mekanizma për gjurmimin e prejardhjes së pasurisë së tyre.

Ai tregon se për verifikimin e prejardhjes se pasurisë tashmë janë duke përgatitur një ligj të ri për verifikimin e pasurisë së deklaruar të zyrtarëve shtetërorë.

Kuvendi i Kosovës në vitin 2011, ka miratuar Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, në bazë të së cilit edhe përfundon procesi i deklarimit të pasurisë.

“Bëhet fjalë për ligj të ri, por normal disa elemente të ligjit aktual do të merren, sepse kjo është në kontiunitet në përmirësim të bazës ligjore. Me ligjin e ri, ekzistojnë disa rregulla, norma, se si do verifikohet prejardhja e pasurisë. Ky tashmë është draftligj dhe shpresojmë që gjatë këtij viti ky projektligj të shkojë në qeveri”, tha Havolli.

Vlerësimi i pasurisë, "sipas dëshirës"

Zyrtarët shtetërorë deklarojnë dhe e vlerësojnë sipas “dëshirës” vlerën e pasurisë se luajtshme, paluajtshme dhe shumën e parave të gatshme në Agjencinë Kundër Korrupsionit, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve, kjo procedurë krijon hapësirë për dyshime për ligjshmërinë e pasurisë se tyre.

Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë se krijimi i bazës ligjore për këtë çështje kërkon përkushtim urgjent, për shkak se disa nga zyrtarët shtetëror kanë deklaruar pasuri në vlerë milionëshe që janë në mospërputhje më të hyra e tyre vjetore.

“Dhe këtu krijohet përshtypja se ata kanë pasuri të paligjshme ose të fituar në mënyrë të kundërligjshme. Kështu që mendoj se ka hapësirë të madhe për tu rishikuar baza ligjore në këtë aspekt. Duhet të krijohen mekanizma dhe dispozita ligjore që merren për verifikimin e prejardhjes së pasurisë se zyrtarëve të lartë publik”, tha Demhasaj.

Të mundësohet konfiskimi dhe sekuestrimi i pasurisë

Demhasaj thekson se në kuadër të ligjit të ri, duhet të mundësohet konfiskimi i pasurisë, nëse vërtetohet se pasuria e zyrtarëve është joligjore. Në Kosovë, ekziston Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë se përfituar me vepër penale.

Por, në bazë të këtij ligji, konfiskimi i pasurisë realizohet vetëm për personat e dënuar për ndonjë nga veprat penale me Kodin Penal të Kosovës.

Për këtë, Demhasaj pohon se autoritetet kompetente asnjëherë nuk kanë marrë seriozisht çështjen e ligjit civil, gjithmonë Kosova ka anuar nga modeli penal i konfiskimit të pasurive dhe për këtë vazhdimisht kjo çështje është treguar e dështuar.

“Ne si Lëvizje Çohu, kemi qenë avokues që ky ligj mos të lidhet më çështje penale, por të jetë një ligj civil, që merret me procedurë civile dhe merret vetëm me ndjekjen e parave të pasurisë dhe jo të individit. Pra, një ligj që krijon mundësi më të lehta për të shqyrtuar pasurinë e zyrtarëve të lartë publik, ku ka dyshime se pasuria e tyre mund jetë e paligjshme. Njëkohësisht, të krijohen lehtësira në aspektin e konfiskimit dhe sekuestrimit të këtyre pasurive” tha Demhasaj.

Në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkaq thonë se kuadër të programit legjislativ të kësaj ministrie për vitin 2020 është paraparë edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë, i cili po trajtohet së bashku me Projektligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit".

“Ministria e Drejtësisë, versionet e hartuara nga grupi punues pjesë e të cilit janë përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit, pastaj përfaqësues nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial, partnerët strategjik si dhe shoqëria civile, do t'i procedojë gjatë muajit shtator për konsultime, fillimisht paraprake dhe më pas me publikun, për t’u siguruar se procesi i hartimit dhe finalizimit të këtyre projektligjeve të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparente”, thuhet në përgjigjeje të Ministrisë së Drejtësisë.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare, vazhdimisht kanë kërkuar që organet kompetente të merren më seriozisht me verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë se paligjshme, pasi sipas tyre, pjesa më e madhe e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme në Kosovë, është në duart e njerëzve të pushtetshëm dhe rrjedhimisht, theksohet se ka munguar vullneti që këta persona të ndiqen penalisht dhe si rezultat i tërë kësaj, nuk ka pasur mundësi që pasuria e tyre të konfiskohet.

XS
SM
MD
LG